Donacione të pakta ndërsa Jemeni ndeshet me katastrofë humanitare

02/03/2021 03:36

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu të hënën zhgënjim se konferenca e donatorëve për Jemenin kishte grumbulluar më pak se gjysmën e rreth 4 miliardë dollarëve që nevojiten për të shmangur urinë katastrofike që mund të lërë miliona të vdekur në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

“Miliona fëmijë, gra, persona në nevojë në Jemen kanë nevojë për ndihmë që të mbijetojnë. Ndërprerja e ndihmave është dënim me vdekje,” tha zoti Guterres. Zotimet për 1.67 miliardë dollarë donacione në konferencën e zhvilluar përmes internetit dhe të organizuar nga OKB, Zvicra dhe Suedia, janë 1.9 miliardë dollarë më pak se shuma e nevojitur për të dërguar ndihma jetike për këtë vit. Kjo shumë është më e vogël se donacionet që OKB mblodhi për planin e ndihmave të vitit të kaluar. Fondet e mangëta kanë çuar në shkurtimin e programeve kritike dhe reduktimin e racioneve ushqimore, duke lënë shumë jemenas në nivel urije të rrezikshme.

“Të shpresojmë se zotimet e sotme janë një këst i parë në përgjigje të urisë më të rëndë që ka parë bota në dekada,” tha zoti Guterres. Lufta që vazhdon prej gjashtë vjetësh mes qeverisë jemenase të mbështetur nga sauditët dhe kryengritësve huti që gëzojnë mbështetjen e Iranit e ka çuar këtë vend, më i varfri në Lindjen e Mesme, në një gjendje pranë katastrofës humanitare. OKB thotë se 16 milionë jemenas janë të uritur, ndër të cilët 5 milionë janë në prag të zisë së bukës. Rreth 50,000 vetë kanë kaluar tashmë në këtë gjendje të dëshpëruar.

Ushqimet nuk mungojnë, tregjet janë plot me artikuj, por pas luftës disa vjeçare dhe kolapsit ekonomik, njerëzit nuk kanë mundësi financiare për të blerë. Fëmijët janë në rrezik akut. 400,000 prej tyre ndeshen me ushqim të pamjaftueshëm dhe mund të vdesin nëse nuk ka ndihma të menjëhershme. “Kjo luftë po gllabëron një brez të tërë jemenasish. Duhet të ndalë,” tha zoti Guterres.

Kontribute
Megjithë gjendjen e dëshpëruar në Jemen, vende rajonale si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti dhanë këtë herë shumë më pak se gjatë krizës humanitare të 2018. Riadi deklaroi të hënën 430 milionë dollarë, Emiratet 230 milionë dhe Kuvajti 20 milionë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi afro 191 milionë dollarë donacione të reja që e çojnë totalin e Uashingtonit deri në fund të shtatorit në 350 milionë dollarë. Bashkimi Evropian u zotua të japë 114.66 milionë dollarë; Gjermania tha se do të japë 241 milionë, nga të cilat ka dhënë deri tani 176 milionë, ndërsa Britania premtoi 121 milionë dollarë.

Dështim i Njerëzimit
“Me një diferencë prej 2 miliardë dollarësh nga shuma që nevojitet, vendet më të pasura në botë i kanë larë duart nga përgjegjësia për këtë dështim të njerëzimit,” tha David Miliband, kreu i Komisionit Ndërkombëtar për Shpëtim që punon në Jemen. “Kjo shumë nënkupton shkurtime në dërgesat emergjente me ushqime, ujë, objekte strehimi dhe pajisje mjekësore,” tha Jan Egeland, kreu i Këshillit Norvegjez për Refugjatët. “Kjo mangësi në donacione do të matet me jetë të humbura,” tha ai./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA