Biden takim virtual me presidentin meksikan, diskutime mbi çështje të emigracionit

02/03/2021 03:13

Presidenti Joe Biden ka në plan të zhvillojë një takim virtual të hënën me presidentin e Meksikës Andrés Manuel López Obrador. Takimi pritet të përqëndrohet rreth çështjeve që lidhen me emigracionin, koronavirusin dhe bashkëpunimin mbi çështje të ekonomisë e sigurisë.

Presidenti i Meksikës ka thënë se do t’i propozojë presidentit amerikan një program të ri punësimi për emigrantët, të ngjashëm me atë që kishin dy vendeve gjatë Luftë së Dytë Botërore, që synon të sjellë çdo vit nga 600 deri 800 mijë emigrantë meksikanë për të punuar në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden, që foli në kushte anonimiteti, nuk pranoi të komente nëse presidenti amerikan do ta mbështeste apo kundërshtonte propozimin. Ai tha vetëm se të dy vendet janë dakord mbi nevojën e zgjerimit të rrugëve ligjore të emigrimit.

Programi origjinal i quajtuar “Bracero” u jepte mundësinë shtetasve meksikanë të punonin përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për të përmbushur nevojat për fuqi punëtore gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe disa dekada pas luftës. Presidenti López Obrador tha se ekonomia amerikane ka nevojë për punëtorë meksikanë për shkak të “forcës, e rinisë së tyre”.

Zyrtari i administratës Biden tha se takimi do t’i japë mundësi presidentit Biden të fillojë të institucionalizojë marrëdhëniet me Meksikën, në vend që ato të përcaktohet nga postimet në twitter, një formë e preferuar e diplomacisë nga paraardhësi i tij, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje të përbashkët tregtare me Meksikën dhe Kanadanë, partnerët e dytë e të tretë më të mëdhenj ekonomikë pas Kinës. Marrëveshja është rishikuar së fundmi në vitet 2018 dhe 2019.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA