Hapen ofertat për tunelin e Llogorasë/ Kompania Gjoka jep çmimin më të ulët për ndërtimin

01/03/2021 15:13

Ministria e Infrastrukturës ka hapur ofertat e kompanive që kërkojnë të dnërtojnë Tunelin e Llogorasë, pas disa shtyrjeve si rrjedhojë e ankesave të operatorëve konkurrues mbi kriteret e garës.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se është Gjoka Construction kompania që ka dhënë vlerën më të ulët financiare mes 6 kompanive në garë. Kompania që po ndërton me sukses edhe rrugën e arbrit, ka dhënë një ofertë që është 10 milionë euro më e ulët se vendi i dytë ndjekës.

Gara për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë u shpall më 19 qershor të 2020-ës, ndërsa në shtator të vitit të kaluar kompania austriake IC Consulting do të shpallej fituese për projektimin e tunelit.

Projekt ideja e tunelit u paraqit pak kohë më parë nga ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.

Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km dhe i cili nis nga Ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit e deri në Urën e Palasës. Kjo vepër do të financohet nga fondet e buxhetit të shtetit dhe do të kushtojë 155 milionë euro. Çmimi i ulët i dhënë nga kompania shqiptare gjoka konstruksion e favorizon këtë kompani e cila aktualisht është duke ndërtuar rrugën e arbrit. Pak ditë më parë përfundoi edhe lidhja e urës së vashës, një projekt shumë sfidues, ndërsa po vijon me shpejtësi ndërtimi i rrugës. Tunelet kanë përfunduar dhe në disa pjesë të rrugës janë duke u asfaltuar.

Top Channel