Izraeli do të vaksinojë palestinezët që punojnë në Izrael apo në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, tha të dielën zyra për Koordinimin e aktiviteteve të qeverisë në territoret, zyrë kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.
Fushata e vaksinimit, e cila do të përfshinte rreth 130.000 palestinezë, pritet të nisë brenda ditësh.
Shaher Saad, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së punëtorëve palestinezë, tha se qindra palestinezë që punojnë në sektorët e shërbimit dhe sektorët e industrisë në Izrael tashmë janë vaksinuar privatisht nga punëdhënësit e tyre brenda Izraelit.
Ai tha se sipas marrëveshjes me Izraelin, ekipet mjekësore palestineze do të vendosen në pikat e kontrollit, për të mbikëqyrur administrimin e vaksinave.
Izraeli ka vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës së Pfizerit mbi gjysmën e popullsisë prej 9.3 milionë banorësh, përfshirë edhe palestinezët në Jerusalemin Lindor.
Por, Izraeli është përballur me kritika nga komuniteti ndërkombëtar se nuk ka bërë më shumë që t’iu mundësojë vaksinimin e palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor, në Rripin e Gazës dhe në territoret që Izraeli i ka okupuar më 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme.
Palestinezët, deri më tani, kanë pranuar rreth 32.000 doza të vaksinës për 5.2 milionë banorët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Zyrtarët izraelitë thanë se sipas Marrëveshjes për paqe të Oslos, Ministria palestineze e Shëndetësisë është përgjegjëse për vaksinimin e banorëve në Gaza dhe në disa pjesë të Bregut Perëndimor.
Top Channel