U njohën në rrjetet sociale, “Tik Tok” bëhet shkaktar i konflikteve të çiftit të martuar prej disa vitesh

27/02/2021 22:32

Rrjetet sociale prej vitesh kanë shërbyer si një dritare për njohje të reja mes personave të ndryshëm nga e gjithë bota.

Nuk janë të pakta rastet e historive të dashurisë që kanë lindur falë rrjeteve sociale. E tillë ishte dhe historia e dashurisë e Abibes dhe Xhaferrit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Historia e dashurisë e Abibes dhe Xhaferrit kishte nisur vite më parë kur ata ishin njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Me kalimin e kohës, pas komunikimeve tepër intensive kishin vendosur që mes tyre të kishte diçka më shumë se thjesht miq. Ata kishin rënë në dashuri me njëri- tjetrin dhe kishin vendosur që të martoheshin dhe nga kjo martesë kishin sjellë në jetë dhe një fëmijë.

Abibja në studio rrëfeu se marrëdhënia e tyre kishte qenë gjithmonë tepër e mirë dhe se kurrë nuk kishin pasur debate apo zënka. Fatkeqësisht disa vite më parë, Xhaferri, kishte pësuar një paralizë faciale dhe ky problem shëndetësor kishte ndikuar tepër në gjendjen emocionale të tij. Sipas Abibes, Xhaferri e kishte humbur besimin në vetvete dhe se ishte mërzitur shumë.

Xhaferri dhe Abibe disa muaj më parë kishin hapur llogari në aplikacionin më të fundit, “Tik Tok”, një aplikacion ku individë të ndryshëm shpërndajnë video të tyre. Sipas Abibes videot që ajo shpërndante filluan të pëlqeheshin shumë dhe për këtë arsye, Xhaferri kishte filluar të bëhej xheloz. Abibja tregoi se ajo i kishte përkushtruar shumë kohë “Tik Tok” dhe se kishte harruar të kujdesej për familjen e saj.

Për këtë arsye, Abibja kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur”, për t’i shprehur dashurinë Xhaferrit, por edhe për t’i kërkuar falje për gabimet që kishte bërë. “Xhaku unë të dua shumë, më shumë se më parë. Ti për mua je po njësoj, je po aq i bukur, prandaj dua të mos mërzitesh më dhe të mos bëhesh xheloz. Të kërkoj falje për çdo gjë!”,- u shpreh Abibja.

Nga ana tjetër e studios, Xhaferri rrëfeu se për të kishte qenë e vështirë pas paralizës faciale që kishte pësuar. Ai tregoi se Abibja i kishte kushtuar më shumë kohë rrjeteve sociale e jo familjes, por Xhaferri i’a kishte falur të gjitha gabimet që ajo kishte bërë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA