Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 12 vjet burg, Sasho Mijallkovin, ish-shefin e policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut.
Ai së bashku me disa ish-bashkëpunëtorë të tij, është shpallur fajtor për veprën penale “Bashkim kriminal”, “Përgjime të paligjshme” dhe “Shkatërrim të pajisjeve për përgjim”. Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy drejtues të lartë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit janë dënuar me nga 15 vjet burgim.
Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska u dënua me 4 vjet burg, ndërsa Vlladimir Vallerov, Silvana Zllatkova dhe Vasil Isakovski, të gjithë punonjës në shërbimin sekret janë dënuar me nga 2 vjet burgim. Ata janë shpallur fajtorë për përgjim masiv dhe të paligjshëm, me qëllim, vendosjen e kontrollit të plotë politik, ekonomik etj, duke shkelur të drejtat e njeriut.
Viktimat, janë politikanë, gazetarë, personalitete nga jeta politike, ekonomike e biznesi, me ndikim në shoqëri – thuhet në aktvendimin e gjykatës. Në bazë të akuzës për rastin e koduar si “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, i cili ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.000 numra të telefonit, apo rreth 20.000 persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.
Afera e përgjimeve ishte zbuluar në 2015 nga Zoran Zaev, që atë kohë ishte në opozitë.
Top Channel