Vrasja e Shkëlzen Kastratit/ RENEA zhvillon kontrolle në Laç, gjendet armë në kasolle pranë një kompleksi

25/02/2021 16:18

Mëngjesin e sotëm, RENEA ka zhvilluar një aksion në Laç, ku janë kryer kontrolle në disa biznese dhe lokale.

Burimet për Top Channel bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona.

Mësohet se kontrolli është kryer në funksion të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier. Në një kasolle pranë një kompleksi është gjetur një armë e llojit “Glock”, por mbetet e paqartë nëse i përket autorëve. Pritet që detaje të reja të zbulohen nga ekspertiza.

Katër autorët e shpallur në kërkim për ekzekutimin e Kastratit  janë identifikuar si: Albert  Zaja, 37 vjeç dhe  Elmir Tufa, 29 vjeç, banues Fushë Krujë; Elson  Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland  Cara 39 vjeç,  banues në Tiranë.

Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij Mercedez Benz, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip Range Rover, nga edhe ku e qëlluan. Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në By-passin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip Range Rover. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA