’Jeta ime e humbun’ në burgjet e komunizmit të Enver Hoxhës”, kujtimet e panjohura të ish–zv/ministrit që bëri mbi 23 vite burg

24/02/2021 08:23

Publikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vite me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj.

Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot ë vjet e pesë muaj e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejëll Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, parqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.

Parathënie e librit me kujtime ‘Jetë e humbun”, të Ejëll Çobës, nga shkrimtari i njohur Zija Çela

Një shpirt i shpëtuar

Ditën që autori uli penën, ndoshta e ndjeu se do të ulte edhe kryet. Dhe kur po ulte kryet për t’u larguar prej kësaj bote, thua se vuajtjet që kishte hequr s’i përkisnin më atij, nuk kërkoi gjë prej gjëje, as la amanet për kriptën e varrit, vetëm i’u përsëdyt pyetja që kishte bërë: “Por a do të vijë ndonjë kohë që ky popull të gëzojë? Ia uroj!”

 

 

Për shkak të sëmundjes së rëndë, Ejëll Çoba tashmë i kishte ndërprerë shënimet dhe disa nga burgimet e tjera, në Beden të Kavajës, në Orman-Pojanin e Korçës apo në famëkeqin e Burrelit, ende kishin mbetur pa u shkruar. Por në faqen e fundit, si në rastësitë divine, fliste për një mikun e tij trupshkurtër, shkodran gjithashtu dhe bashkëvuajtës në burgjet komuniste, përkthyesin e Dante Aligerit. Bisedat me profesorin e letërsisë e kënaqnin, sepse duke e dëgjuar, e kalonin në një jetë irreale. Besonte në Zot dhe, me gjasë, duhet të ketë ikur me shpresën për ta gjetur Parajsën matanë, por me dhembjen që këtej po linte Ferrin. Në atë kohë Pashko Gjeçi, personazhi final i Ejëll Çobës, vazhdonte përkthimin e “Komedisë Hyjnore”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sa herë zbulohen pergamene të vjetra, rrallëkush e vë në dyshim autenticitetin e tyre. Memorialistika e tillë ka diçka prej pergamene, sepse ende pa u hedhur në letër, është shkruar më parë në lëkurën e autorit.

Libri i Ejëllit vjen si dhuratë prej atij engjëllit, i cili ka vetëm një caktim sovran: me mbajtë anën e Pafajësisë në çdo rrethanë, edhe kur më i forti i’a ka vënë këmbën në fyt më të dobëtit. E mbartës i së drejtës dhe i drejtësisë, në krejt lëmshin e dheut, është njeriu. Kaq i mbathur me vlera njerëzore është libri “Jetë e humbur”, kaq rëndues në drejtësinë përballë padrejtësisë, sa akuza që regjimi i bënte autorit kthehet kundër akuzatorëve, jo duke u mbuluar me propagandë, por duke e zhveshur propagandën nga faktet.

Duket se ai engjëlli mesazher, korrieri i perëndishëm, e kishte gjetur misionarin tek Ejëlli po me atë siguri, siç i gjente të ngjashmit mes kampionëve. Vështirë të gjendet mision më i madhërishëm, sesa ai që fiton funksion dhe bëhet dokument nëpërmjet përjetimit. Është si shndritja misterioze në terrin e natës që, e nisur prej diku për të tjerët, vetë digjet por nuk kthehet më në burimin nga vjen.

Njeri i shkollës dhe i ligjit, i iluminuar me kulturën perëndimore, Ejëll Çoba e kalon të drejtën përmes tehut të thikës. Dhe ky kalim epik përballë torturave e dënimit me vdekje, kjo frymë vendosmërie për të mos e ngarkuar veten me faje që s’i ka bërë, por as për t’i rënduar të tjerët me kusht që të gjejë shpëtim, përbën njërën nga veçanësitë më të mprehta të librit. Ejëll Çoba nuk ishte kundërshtari që i’u kundërvu me armë komunistëve, as aktiv i Ballit apo Legalitetit, ai s’ishte tregtari spekulant që vuri dhjamë gjatë luftës dhe i fshehu florinjtë, nuk ishte as industrialisti që do t’i konfiskohej pasuria sipas modelit stalinian. Ai ishte intelektuali që, pas diplomimit në La Sapienza (1932), ushtroi profesionin në atdheun e tij, duke ndjekur karrierën administrative. Ejëll Çoba, Dottore in Giurisprudenca, u dënua për idetë nacionaliste dhe me qëndresën e tij, që farfuron bindshëm në këto kujtime, u tha “Jo!” gjyqeve politike të genocidit mizor.

Për universalen që mbart, në mos qoftë dëgjuar atëherë, kjo britmë e dinjitetit human dhe e nderit politik edhe sot e kësaj dite ia vlen të dëgjohet në tërë hapësirën e ish-perandorisë komuniste.

Ky libër është plot fluks shpirtëror dhe intelektual. Libër që trazon dhe trazimi zgjon vetëshqyrtimin e ndërgjegjes te lexuesi, shqyrtimin nga uni deri në nivelin e ndërgjegjes kombëtare. Autori parapëlqen të rrëfejë, të rrëfejë në mënyrë intensive. Dhe përgjatë rrëfimit, prej dhuntisë që të kujton romancierin, zotëron ritmi, fjalori i gjerë i shqipes (citon në latinisht, italisht dhe frëngjisht), stili i shkrifët dhe ndjeshmëria e përpiktë ndaj fjalës, shpesh me forcën përshkruese që i jep shkrimit shtysë pamore, thua se ata njerëz dhe ato mjedise na shfaqen ndër sy.

Kur ndalet shkurt për ndonjë opinion apo analizë, të cilën e vendos në sfond kombëtar e ndërkombëtar, të ngjan se autori i’a ka hequr vetes nervin e elektrizimeve. Për ajrimin e mendjes atje, ku me zorajroseshin mushkëritë, para se të bëjë zgjedhjen dhe ta pjekë vizionin, atij i pëlqen të dëgjojë mendimet e të tjerëve, sepse: “Sa shumë nguten njerëzit me dhanë gjykime”! Por nëse peshorja i’a saktëson masën, nuk i’a tjetërson përmbajtjen e qëndrimit. Sa herë u kthehet formacioneve politike dhe personaliteteve të kohës, kurrkujt nuk i’a lë as nderin dhe as koritjen në derë, pa dhënë faktet përkatëse. Me këtë objektivitet, Ejëll Çoba i kthehet edhe vetes, madje herë-herë duke e qesëndisur “borgjezin” e thikës e të pirunit që, për shkak të formimit akademik shumëvjeçar, ndoshta më parë i kishte munguar sensi praktik i jetës, kishte besuar naivisht dhe pastërtisht.

Por ka rrethim të gjerë ky autoportret i sinqertë, ai vjen në shoqëri me shumë portrete të paharrueshme. Madje, i shkruar prej një zemërmadhi, libri sikur bëhet goja e botës shqiptare. Megjithëse konflikti ka tjetër natyrë, pa gjëmime topash, kavaleri e fushë të Vaterlosë, megjithëse binomi i luftës dhe paqes së dhunshme kufizohet në burgje, pastaj në një tjetër mejdan – kënetën fushore të Maliqit, për nga mizoria dhe numri i pazakontë i personazheve rrëfimi merr njëfarë ngjasimi tolstoian. Do të gjenden në faqet e tij që nga emrat e personaliteteve më të njohura në historinë tonë politike dhe atë të letrave (mjaft prej të cilëve ende të debatuar publikisht), deri tek ata të shtresave më të ulëta, njerëz fatkeqë e anonimë që kurrë më parë nuk u është shkruar emri nëpër libra. Portretizimet janë herë të plota e herë skicime të shpejta, por gjithnjë me shenja vetjake, shpesh plot spikamë kompleksiteti, veçmas befasues kur në këtë rrjedhë karakteresh zbulohen anë të panjohura të tyre.

Nëse këtë libër e kthejmë në formën e dramës, me valët e arrestimeve, pamjet e terrorit, torturat me dajak, zinxhirë, korrent elektrik e darë që shkulin mishin, me hetuesitë e pafundme dhe gjyqet ku xhelatët gjykojnë viktimat, me pushkatimet qenshe dhe kërcënimet makabre për pushkatim, lëngimin nëpër biruca dhe rraskapitjen çnjerëzore në kampet e punës (si lager-at nazistë), gjithë sa do të ishim në sallë do të na duhej të ngjiteshim në skenë. Por për të zënë vendin e personazheve, ndoshta as kaq s’do të mjaftonte. Përmes dramës së vet, Ejëll Çoba ka dhënë dramën e popullit të tij, persekutimin masiv, denatyrimin e hullisë së zhvillimit historik dhe gjëmën e përgjithshme që po sillte regjimi gjakatar. Ja përse në atë sallë të përfytyruar, në gjysmerrësirën që ka rënë prej llambadarëve të fikur, më shfaqet si hije silueta e autorit. Po murmurit një monolog pas dënimit kapital dhe pyesni se cila është gjendja e tij? E pra, ky është teksti:

“Fillova ta përgatis veten shpirtnisht. E mendojsha jetën si nji shirit filmi që papritur këputet. Nuk më vinte keq për botën që po lejsha: më dukej se e kisha njohë mjaft e nuk më tërhiqte asgja e re që të meritonte me e njohë. Isha në moshë relativisht të re, 38 vjeç, e më dukej se ende nuk i kisha dhanë jetës aq sa mund t’i jepsha e sa duhej t’i jepsha. Vendit që më kishte lindë, po i’a kthejsha detyrën me jetën.”

Por ai nuk është vetëm, e mbushur plot e përplot, salla gëlon nga hijet. Janë ata, veteranët e Rezistencës Antikomuniste. Ndërkaq, ne që kemi hypur në podiumin e lartë të skenës, ne të fjalimeve fjalamane nëpër foltore (fff, fryn era!), ne që kemi pushtuar gazetat dhe ekranet, ne që e mbajmë veten si trashëgimtarë të idealeve demokratike, ngjan se tashmë u kemi kthyer shpinën. Ne dimë shumë të rrëzojmë, por dimë pak të ngremë. Dhe kështu, prej kujtesës së shkurtër, shpesh harresa na bëhet haram. Deri më sot i vetmi Monument i denjë, që i kushtohet asaj rezistence, është Memoralistika e vetë rezistuesve, madje kjo bibliotekë mbetet gjyqi më i thellë dhe më i moralshmi që i është bërë diktaturës.

Sa herë ndodhem në ato kopshtet, ku heshtja është e fikët dhe selvitë lëshojnë hije të gjata, më bëhet sikur dëgjoj një gulç drithërues, që vjen mbyturazi prej diku: Save Our Souls! (Shpëtoni shpirtrat tanë!) Atëherë, në atë mëdyshje të zorshme që të jep dhimbje në brinjë, më përsillet ky mendim: Kushedi sa njerëz jetojnë si të vdekur midis të gjallëve dhe kushedi sa të vdekur janë ende të gjallë!

Kur në çastin fatal, teksa po nisej në rrugën e Hadit, miku besnik deshi ta ndiqte mbrapa, Hamleti e ndaloi me një porosi të rreptë, si t’i vinte nga fshehtësirat e përjetësisë. Është paradigma që At Zefi, Pllumi ynë i’u përmbajt aq thekshëm: Rrno vetëm për me tregue. Dhe Ejëll Çoba shumë na tregoi e shumë na dëshmoi, ai e përmbushi profecinë shekullore.

Veçse atë ditën e përmendur, ditën kur po i avitej mortja (1979), burri që kishte qenë burgosur njëzet e katër orë për njëzet e katër orë në njëzet e katër vjet, duke e parë në sy groteskun e realitetit socialist, u zhyt në zhgënjim dhe modestisht tha për veten:

“Jetë e humbun”.

“Jo”, më vjen t’i përgjigjem së vdekurish, “ndoshta një shkrimtar i humbur”.

Por mbi të gjitha, mbi të gjitha, një Shpirt i Shpëtuar me fuqinë e tij, sepse ju zgjodhët nderin, Zotëri.

Ejëll Çoba

B U R G I M E T

Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme

Konti Rober dë Monteskje

2 dhjetor 1946, nata e parë që fjeta i shkujdesur që fjeta i shkujdesur pas dy vjetësh. Qetësi vdekjeje, si nata e parë e Serasonit n’vorr. Për dy vjet kisha qëndrue në behë ditë e natë. Nervat më ishin lodhë, isha këput, jo aq nga kujdesi për vete, se sa për njerzit e m’i: nanën, motrën, vëllanë. Ishin fut në një pyll, nga i cili nuk po shijshin dalje. Mbeti vetëm dalja në Greqi (nuk e dijshim se kufiri shqiptaro-grek, ishte zanë prej komunistëve grek), por duhej pritë pranevera ose vera. Ishte pritje e gjatë. Nyja u zgjidh si prej vetes.

Në Shkodër mbretnonte terrorri ma i madh. Shkaku u gjet te Lëvizja e Postribës, ose siç e quenin zyrtarisht “Ngjarjet e shtatorit”. Lëvizje pa plan, pa organizim. Pa qenë në dijeni të gjëndjes ndërkombëtare, e as të gjëndjes reale të brendëshme, ajo lëvizje ma shumë prishi punë, se sa mund të ndreqte. Prej saj nxorri dobi vetëm qeverija që kërkonte shkak për të mat pulsin e për të veprue. Të tilla do të kenë qenë edhe shumë prej atyne 200 kryengritjeve që banë shqiptarët gjatë 500 vjetëve të sundimit turk.

Ekzekutimet, burgimet, torturat, ishin në rend të ditës, e si në çdo vënd e në çdo kohë, bashkë me heroizimat ma të shkëlqyeme që nuk duhen të harrohen, pati edhe tradhëti, paditje, dobësi, që shkaktuen mjerime. Për të shpëtue nga torturat, për t’i lehtësue vetes mundimet ose për të zvogëlue ndëshkimin, disa thanë çka dijshin dhe çka nuk dijshin dhe shpesh kështu zbulojshin një të ndjekun.

Mbramjen e 2 nandorit, ditën e të shumëve, filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë, që do të zgjaste pa ndërpremje deri me 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muej e 5 dit. Një çerek shekulli i plotë, një jetë e humbun!

E unë atë natë fjeta i shkujdesun, nuk kisha përse të mendojsha, jeta ime nuk varej ma prej meje. Prej meje varej nderi e për këtë u betova se do ta mbrojsha. Mendojsha se do të mbahej premtimi i dhanun se me dorzimin tim nuk do të ndiqeshin familjarët që më kishin strehue. Por mbas dhjetë ditësh arrestuen vëllanë, Kelin.

Flitej se në Shkodër ma shumë se 20 shtëpi e kuvende ishin kthyer në burgje për 2000 të burgosunit. Në njanën prej tyne në rrugën “Skanderbeg” (që kishte edhe një hymje në rrugën “Sumej” e ku sot asht selia e policisë), më përcolli një partizan prej Komandës së Qarkut, që ndodhej në shtëpinë e Çurçisë. Fadil Kapisyzi, më pati përcjellë në qark e më shtini në një zyrë ku më priti në kambë një oficer i ri, i hollë tanë nerva, i veshun me rroba ushtarake, prej stofi Italian, që më tha: “Ju jeni Engjëll Çoba? S’paskeni vuajtur!”. E me një tosknishte të spikatun shtoi: “Neve ju dinim në Itali”! Kur pa se buzëqesha, vazhdoi disi i prekun: “Ama këto kohët e fundit e morëm vesh se ishte këtu”.

Ishte ora 9 e mbramjes kur hyna në një dhomë të vogël, ku ishin katër vetë. Kapterri, më caktoi vendin afër dritares e porosia e parë që më tha ishte:

  • Mos shiko nga dritarja, se roja e jashtme ka urdhër të qëllojë m’u në kokë.

M’u duk zell i tepërt e naiv. Jeta e burgut e mavonshme më mësoi se ai kishte folë vetëm për kërcënim.

Kur u hodha një sy atyne që do të ishin shokët e parë të kalvarit ma shumë se 20-vjeçar, pashë dy fshatarë, që ishin të lidhun me njeni-tjetrin për dore me zinxhir. Kur lëvizshin nëpër dhomë ose ngriheshin për ndonjë nevojë, më dukeshin si një pendë qe. Ata të dy ishin Tak Filipi prej Stajke e Idriz Vorfa prej Sume. Vuajtja kishte lidhë fatin e përbashkët të atyne dy të mjerëve! Përbri meje ishte një anamalas që ishte i sëmurë me zgjebe. Në anën tjetër ishte një djalë i ri, një qytetar me syza, Syri Anamali.

Ishte vonë e nuk lejoheshin bisedimet. Folëm nën za. Pas pak hyni prap një roje që e lidhi djalin e ri edhe prej kambësh, se duart i kishte të lidhuna. Mue më lidhi për duersh e për kambësh.

Kur hapa sytë në mëngjes e pashë se kishte dalë drita, pyeta veten: si do të jetë dita në burg? Kur hodha sytë në dhomë e pashë se edhe të tjerët ishin zgjue e po rrinin ndejun, u sigurova se nuk isha në vorr!

Na zgjidhën e na çuen mbas shtëpie për tualetin e mëngjesit. Atje pashë edhe të tjerë, por ishte rreptësisht e ndalueme me folë me njeni tjetrin. Të gjithëve i shiheshin në fytyrë e në trup shenjat e torturave. Cin Serreqi, i bijshin të mëdhaja rrobat edhe këpucët. Vetëm Guljelm Suma, disi i familjarizuem, me rojet, fliste me za të naltë e pa i’u drejtue askujt e, si e kishte zakon gjithmonë, hidhte ndonjë shaka sa për të tregue se nuk e kishte humbë humorin.

Shokët hangrën mëngjesin me ç’ka u kishte teprue nga darka e më dhanë edhe mue. Filluem bisedat e u njohëm.

Pa kalue dy javë që isha dorzue, një ditë, kur më sollën ushqimin, pashë se emri im në etiketë nuk ishte shkrue si zakonisht me shkrimin të vëllait, Kelit, por me shkrimin e nanës. U çudita: pse vëllai dhe motra që kisha lanë në shtëpi, t’ia kenë lanë nanës plakë edhe me shkrue etiketën? U qetësova pak tue mendue se ndoshta në atë moment nuk kishin ndodhë në shtëpi as njeni e as tjetri dhe nana, për të mos e vonue ushqimin, e kishte dërgue me anë të ndonjë personi tjetër pa pritë motrën. Por kur të nesërmen pashë jo vetëm shkrimin e nanës, por në vend të emnit tim, emnin e vëllait, Kelit, atëherë dyshova se e kanë arrestue. Për këtë i thashë rojes t’i merrte ato sofratasa e të pyeste nëpër dhoma, a ishte kush me këtë emën. Roja i morri. Ndëgjova në dhomën tjetër zanin e Gjon Serreqit, që i’u përgjigj rojes:

  • Jo Kel, po Ejëll Çobën e ke në dhomën tjetër. Roja shkoi odë më odë, u kthye e më tha:
  • S’ka me këtë emën – e m’i la sofratasat.

Sado plakë të ishte, ishte e pamundur që nana të gabonte emnin e djalit në burg, me atë që kishte në shtëpi. E vërteta ishte se dhjetë ditë mbas meje, kishin arrestue vëllanë, Kelin. Motra në ato ditë kishte shkue në Tiranë te vëllai tjetër, për të përgatit shkresat në pritje të transferimit tim atje.

Pas disa ditësh më çuen në një dhomë tjetër, ku gjeta Ramadan Sokolin e një mirditas. Ramadani kishte dy cilësi shumë të mira: njena ishte se këndonte bukur, e këtë sa herë i’a kërkonte ndonjë shok, edhe prej dhomave të tjera, sidomos kangën “Pëllumbeshë” që e kishte shkru dhe kompozue vetë. Tjetra ishte se tregonte me hollësi romanet e shumtë që kishte lexu.

Me Ramadanin mundohesha me ba një bisedë ma të ditës. Më tha, jo pa njëfarë krenarie, se kishte ba pjesë në një grup të rinjsh, që kishin kërkue të rrijshin neutral në çamjen e madhe të popullit shqiptar. Në dhomën, ku kisha qenë me Ramadan Sokolin, kishin sjellë Padër Bernardin Palajn. Prej derës së odës sime mujta me e pa e me folë pak me të. Kishte në ballë një të çame të madhe transversal të një plage. Më tha se im vëlla, Keli, gjindej në seksion nën tortura. Ma fort me shenja se me fjalë, më la me kuptue se seksioni ishte ferr i tmerrshëm. Padër Bernardini qëndroi pak dit në dhomë me Ramadanin.

Një pasdreke ndëgjova zhurmë e zana në çardak e kambë të randa që uleshin për shkallë. Shikova jashtë në dritare. Pashë një frat të mbajtun për kambësh e për duersh, të cilit i shkrryheshin për tokë mantelin dhe veladonin bojë kafe. E njoha, ishte Padër Bernardini. E hypën në një veturë. Nuk dija me spjegue ç’ka i kishte ndodhë. Ramadani më shpjegoi se Padër Bernardinin, e kishin thirrë në zyrë për të firmos proçes-verbalin e hetuesisë.

Ai kishte dashtë të refuzonte, por kur roja që kishte sjellë proçesverbalin i kishte thanë se po të mos e firmoste, kishte urdhën ta shoqnonte prapë në seksion, e kishte vu firmën. Posa ishte kthye në dhomë, kishte fillue me i ra me grushta kresë e me përplas kryet për mur. E kishte kapë një krizë zemre. Erdhën dhe e morën. Po atë natë, në dhomën e spitalit të burgut të Togës, ish konvikti “Malet tona”, kishte vdekë. Drita e së nesërmes e kishte gjetë të hedhun në fund të kopshtit mbi pleh. Kështu tregojshin të burgosurit e Togës.

Mbas dy-tri ditësh më prunë pranë Padër Filip Mazrekun. Megjithëse kishte kalue nëpër njëfarë hetuesie paraprake, rrinte ende nën ndikimin e jetës së qetë e monotone të Kuvendit dhe andrronte me u kthye atje për prehje, larg jetës së seksionit. Më kanë thanë se, kur doli prej burgut, i’u shtrue jetës e nuk u ankue ma për jetën priftnore.

Në mbramje, burgu u mbush me mysafir të rinj, të njohun e të panjohun. U ba një sistem i ri e mua më caktuen në katin e poshtëm, në një dhomë të madhe me 56 veta, shumica fshatarë që i kishte përla rryma përmbytëse e revolucioni të etshëm për vuajtje e gjak. Kur hyna në dhomë, pashë të shtrim përbri dersë Padër Karol Serreqin, që më thirri menjëherë e më lëshoi vend përbri derës e më tha të rrijsha afër. I thashë: “Po, derisa të na lanë!”. Me Padër Karlin nuk kisha folë qysh në foshnjore. Ai mori rrugën e kuvendit qysh në fëmini e unë rrugën e Italisë. Jeta na ndau, por vuejtja na bashkoi prap! Memorie.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA