Ndihma ekonomike do të dyfishohet edhe pas përfundimit të pandemisë. Është ky zotimi i kryeministrit Edi Rama në konferencën “Ekonomia në fokus” duke zgjatur më tej në kohë këtë masë, ndërsa deklaroi ndër të tjera se do të vijojë të rritet edhe paga minimale.

Bizneset shtoi kryeministri, që kanë kontestuar edhe rritjen e fundit të saj në 30 mijë lekë me argumentin se rrit kostot, duhet të mësohen tashmë me këtë fakt.

“Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do e mbajmë dyfish deri në përfundim të pandemisë dhe do të synojmë dyfishimin e saj konstant gjithë kohës edhe pas përfundimit të kësaj lufte. Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje dhe siç kemi arritur sot falë të gjithë përpjekjeve të bëra në të gjithë këto vite, të zerojmë taksën, përtej premtimit të dhënë, ashtu edhe njësoj si në këtë pozicion duam të arrijmë në një pozicion edhe të posacëm edhe për pagën minimale dhe e fundit, por jo për nga rëndësia.”

Përfaqësuesit e qeverisë janë ndalur edhe te sistemi i taksimit, duke cilësuar si të drejtë atë progresiv , e duke hedhur poshtë taksën e sheshtë të propozuar nga PD që sipas tyre godet individët dhe favorizon kompanitë e mëdha.

“Ul barrën fiskale për punonjësi, pasi pjesa më e madhe e punonjësve janë me një pagë afër minimales,u ulën të ardhurat në buxhet me 2 mld në 2014,por kemi një rritje të vleftës nga tatimi progresiv mbi të ardhurat edhe pse për 97% të të punësuarve kemi rritje të barrës fiskale”, tha Anila Denaj, ministre e Financave.

“Me taksimin progresiv kanë paguar më shumë kompanitë e mëdha dhe oligarkët. Me taksën progresive mblidhen më shumë lekë, ndërsa taksa e sheshtë ju ngodet ju”, u shpreh Kryeministri, Edi Rama.

Sipas draft programit të Partisë Socialiste, siguruar nga Top Channel por të pa zyrtarizuar ende, qeveria ka rishikuar pragje e tatimit progresiv ku individët me pagë deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë taksë për pagën.

Personat me të ardhura nga 40 mijë deri në 200 mijë lekë do të taksohen 13%, ndërsa për ata që kapërcejnë këtë kufi do të aplikohet norma 23%. Aktualisht, 13% tatohen mbi punën personat që marrin nga 30 mijë deri në 150 mijë lekë, dhe mbi këtë nivel taksa shkon 23%.

Ndër të tjera, përfaqësuesit e qeverisë shprehën edhe angazhimin për uljen e borxhit publik pavarësisht krizës, një tregues që arriti në 77.8% të PBB në fund të 2020-ës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA