Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se opozita ka qëllim të pengojë integrimin e vendit në BE.
Spiropali nuk i ka kursyer as ironitë për deputetin opozitar, Ralf Gjoni, ndërsa i kujtoi këtij të fundit lidhjen e tij me LSI-në.
Sipas saj, sot Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, në një luftë frontale me ata që duhet të ishin në krahun e qeverisë.
Ajo tha që sot ata që duan të vijnë në pushtet nuk janë opozita e lindur, por qeveria e vdekur që do të ngjallet!
Sipas saj, liderët e opozitës madje edhe Presidenti e donin reformën në drejtësi të vdekur, prandaj ata kanë frikë dhe takohen me prokurorë dhe gjykatës të larguar nga sistemi i drejtësisë.
Spiropali: I dashur Ralfi, mendoni se teatralitetin dhe aftësinë për të parashikuar të ardhmen i kishe lënë në partinë e vjetër, por siç duket paske marrë disa elemente të dobishëm dhe në Kuvend. Nuk është as mister dhe as çudi që BE ka problemet e veta dhe që opozita që ti përmende që është jashtë nuk i sheh se ka qenë e zhytur në të sajat.
Po të kthehemi se ato që ka bërë kjo maxhorancë për të realizuar detyrat, mund të them se është bërë e pamundura brenda të mundurës. Kemi një opozitë jashtë parlamentare e cila në të gjithë aksionin e saj e ka program sabotimin dhe pengimin e rrugës evropiane të Shqipërisë. Integrimin e ka fjalë goje, por jo çështje veprimi.
Ish qeveria që sot pretendon të vijë në pushtet nga Berisha, ministrat dhe të gjitha institucionet viheshin në resht për të plotësuar nevojat materiale të një familje. Bëhet fjalë për abuzime miliona euro. Janë këta njerëz që na flasin për ligjshmërinë që nuk është plotësuar për integrimin. Për të mos folur për shkatërrimin e institucioneve, luftën ndaj institucioneve, bojkotimin e institucioneve që tregon se këto përpjekje kanë qenë e të organizuar.
Reforma në drejtësi sot vlerësohet si reforma më e suksesshme. Petrit Vasili tha se reforma në drejtësi ka lindur e vdekur. Sepse kështu e donte ai. Kështu e donin, të vdekur nga Ilir Meta, Monika Kryemadhi e Lulzim Basha. E donin të lindur të vdekur, po ja foshnja po rritet madje ka dhënë edhe ca prova. Prandaj kanë frikë. Dhe shkojnë në periferi dhe takojnë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar. I thonë që do ta kthejmë pas reformën në drejtësi. Marrin fëmijët e tyre të prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar dhe po i fusin në lista. U japin mesazh, jemi me ju. Do ta kthejmë pas reformën. Ata nuk janë opozita e lindur, por qeveria e vdekur që do të ngjallet.
Top Channel