Ina punon prej vitesh si guidë dhe eksperte e ndërtimit të produkteve pranë një operatori turistik kombëtar të specializuar për marshimet në natyrë.
Në një vit normal ata presin gati 2000 turistë të huaj çdo vit që shpenzojnë 8 deri në 12 ditë në Shqipëri. Gjatë 2020 ata nuk patën asnjë të ardhur nga rezervimet pasi ato u anuluan në masën 100% por ata gjetën ide për tregje të rinj dhe u fokusuan tek inovacioni. Ishte një përvojë që sipas saj i vendosi operatorët kryesorë në kërkim të bashkëpunimeve me komunitetin lokal, vëmendjen ndaj zonave rurale markimin e shtigjeve të reja dhe mbështetjen e investimeve në fshat.
“Ishte një vit ku shumë tour operatorë kanë pezulluar punën e tyre në mos e kanë mbyllur fare përkohësisht ose përgjithmonë e sidomos edhe për guidat ka qenë e vështirë pasi është profesion i pavarur dhe nuk mund të mbështetesh asgjëkund. Të paktën patëm hapësirën për të parë hapësira të reja për të investuar në metoda si mund të zhvillohet tregu ose për të krijuar paketa të reja turistike. Këtë vit morëm edhe më shumë mbështetje për tour operatorët edhe për guidat për të dalë në terren dhe për ti zbuluar risitë.”
Në një farë mënyre operatorët nuk kanë qëndruar për të pritur çfarë mund të ndodhë por u fokusuan tek ndryshimi i ofertës duke konsideruar edhe kërkesën që vjen nga tregu ndërkombëtar. Kështu vetëm në Jug në zonën mes Përmetit dhe Ersekës, Zagorisë, Lunxhërisë, Kurveleshit, malësisë së bregdetit janë përfshirë brenda ofertës së aventurës dhjetëra bujtina të reja dhe shumë produkte në trekking ( marshim), ture me biçikleta, camping, ture me kuaj, dhe eksperienca të të jetuarit si banorët e zonës.
“Kemi krijuar kontakte me njerëz të interesuar që kanë nisur investimin në shtëpinë e tyre dhe janë interesuar për trajnimet që kemi ofruar dhe presim tani vetëm turistët.”
8 operatorë turistikë shqiptarë të specializuar në turizmin e eksperiencës dhe aventurës të mbështetur edhe nga një program i qeverisë zvicerane kanë shpenzuar gati 21 mijë euro secili për inovacion dhe krijimin e produkteve të reja, investim që kompanitë presin ta marrin pas në krye të dy viteve pas daljes në treg të paketave. Një studim i kryer po nga i njëjti program evidenton se megjithëse parashikimet për vitin 2021 mbeten të zymta rihapja do ta gjejë turizmin e aventurës me një ofertë shumë më cilësore sesa në fillim të pandemisë.
Top Channel