Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar paraditen e sotme në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se persona të paidentifikuar kanë qëlluar drejt një automjeti, i cili ishte në afërsi të spitalit Rajonal dhe drejtorisë së Zjarrfikësve. Policia njofton se shënjestra ishte një 30-vjeçar, i cili ndodhej pranë një karburanti kur erdhën të shtënat drejt automjetit që po drejtohej nga ai.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve të dyshuar. Nga të shtënat me armë, nuk është lënduar asnjë person.
“Më datë 21.02.2021, rreth orës 11:50, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi T. P. 30 vjeç , banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër. Nga të shtënat nuk ka asnjë preson të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të DVP Shkodër dhe FNSh Shkodër ku janë vënë në ndjekje të autorëve. Njëkohësisht janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve të dyshuar.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, sekuestrimin e çdo prove që do shërbejë për identifikimin e autorëve”, njofton policia.
Top Channel