Kryeministri Edi Rama ka folur sot, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit, për vaksinimin e personaliteteve +80 vjeç, duke theksuar se sipas tij reagimet pas komunikimit të këtij vendimi ka qenë i padrejtë.

Ai pohoi se bashkë me personalitetet do të vaksinohen edhe të moshuarit e zakonshëm.

“Nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të parë, ku do të vaksinohen edhe njerëz të zakonshëm. Fillon me ta në mënyrë simbolike, në mënyrë shembullore, për të vijuar me tjerët”, u shpreh Kryeministri.

“Faleminderit për pyetjen sepse më jep mundësinë të sqaroj dhe një herë tjetër që flas për personalitetet 80 vjeçare. Pra nuk bëhet fjalë për personalitetet jashtë kësaj kategorie por bëhet fjalë për të filluar vaksinimin e 80 vjeçareve me disa personalitete që janë 80 vjeçare e për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, përkujdesje për ta sepse e vë re dhe me një farë sëkëlldie që kur këta njerëz ndahen nga jeta, ka një moment lot derdhjeje dhe një moment rrjedhjeje fjalësh dhe fjalimesh për ta, që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur nëse ne do duhej të përballeshim larg qoftë me humbjen e ndonjërit prej tyre për shkak të mungesës së vaksinës dhe nga ana tjetër, edhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre tek njerëzit në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo.

Që do të thotë që vaksinimi ka dhe një aspekt tjetër që është sensibilizimi dhe lehtësimi i barrës psikologjike të atyre që dyshojnë tek vaksina apo mendojnë që vaksina është e dëmshme apo produkt i një konspiracioni botëror për të eliminuar gjindjen njerëzore e të tjera marrëzira si këto. Pra, fillojmë me kategorinë e 80 vjeçarëve dhe të parët, faktikisht nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të parë ku do të vaksinohen dhe të tjerë që janë njerëz të zakonshëm, por fillon me këta, në mënyrë simbolike, në mënyrë si të thuash shembullore për të vazhduar me të tjerët. Është bërë një reagim shumë i padenjë, shumë mizerabël do të thoja lidhur me këtë nga njerëz që kanë mundësinë të komunikojnë me publikun e që e shpërdorojnë rëndom këtë mundësi duke u përpjekur që edhe këtë rast ta shfrytëzojnë për të shfryrë mllefin e tyre ndaj qeverisë, ndaj meje, por kjo nuk është e denjë mendoj unë”, tha kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA