Një shqiponjë është qëlluar në Berat, dhe dyshohet se është bërë qëllimisht për t’u kapur dhe përdorur si mjet tregtie.
Sipas Erald Xekës, nga shoqata e ornitologjisë e Shqipërisë është e qartë që ky veprim është i qëllimshëm.
“Rasti është raportuar nga administrata e zonave të mbrojtura të Beratit. U dërgua në qendrën e rehabilitimit të parkut Divjakë-Karavasta“.
Ai tregon se nga grafia duken 13-14 saçme në trup që tregon se është qëlluar me armë gjahu. Për sa i përket gjendjes shëndetësore të shqiponjës dhe sa mundësi ka të shërohet thotë: “Është shpend i madh por varet si do të reagojë, duhet të rrijë në qetësi. Është e vështirë me shpendët, kur kanë fraktura të kockës“.
Xeka akuzon bizneset private se i vrasin për t’i balsamosur. “I shesin 100 mijë lekë të vjetra, është e turpshme“.
Pak ditë më parë, stafi i ADZM Berat informoi mbi gjetjen e një Shqiponje Mali, në Skrapar e cila më pas u përcoll prej tyre në Qendrën e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Analiza grafike e kryer nga ADZM Fier, konfirmoi dyshimet se shpendi ishte i plagosur dhe i paaftë për fluturim. Grafia tregoi se krahu i djathtë rezulton i thyer.
Llazani thotë se ndër të tjera është edukata jonë, në mënyrën si i trajtojmë kafshët. “Kemi pafund qen e mace që vriten në mes të Tiranës dhe askush nuk bën gjë. Ka njerëz që nuk bëjnë tregti me këto shpendë por thjesht e shohin dhe duan ta kapin në shënjestër. Është edukata dhe kultura jonë“.
Rastet e gjuetisë ndaj kafshëve dhe shpendëve të mbrojtura me memoratorium mund të raportohet te rojtarët e pyjeve, që mbulojnë zonat e mbrojtura. Këto raste ndiqen dhe në prokurori, thonë ekspertët në “Shqipëria live”.
Top Channel