100-vjetori i Dhomës së Tregtisë së Durrësit, Meta: Biznesi është rrënuar vitet e fundit, koha për rigjallërim

19/02/2021 17:03

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në 100-vjetorin e Dhomës së Tregtisë e Industrisë në Durrës.

Presidenti e ka konsideruar një ngjarje historike për qytetin dhe për gjithë sipërmarrjen në nivel kombëtar. Meta tha se klima e biznesit në Durrës është goditur rëndë, duke u shprehur se është koha për një rigjallërim.

Postimi i plotë:

I lumtur të merrja pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, një ngjarje historike jo vetëm për këtë qytet, por për të gjithë sipërmarrjen në nivel kombëtar.
Misioni dhe veprimtaria e këtij institucioni ka qenë gjithmonë mbrojtja e përkujdesja ndaj interesave ekonomike të biznesit të Durrësit, për të rritur dhe zgjeruar vazhdimisht marrëdhëniet tregtare dhe industriale, por edhe për të promovuar eksportin e prodhimeve autentike shqiptare.
Në mirënjohje të kësaj veprimtarie të vyer një shekullore, pata kënaqësinë të vlerësoja Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit me Titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”.
Durrësi, për fat të keq, përveç problemeve që ka në tërësi klima e biznesit, është goditur shumë rëndë vitet e fundit nga tërmeti dhe nga pandemia, me pasoja tepër serioze, aq sa të ardhurat e sipërmarrësve janë ulur ndjeshëm.
Ndaj është koha për një rigjallërim, për t’i dhënë frymëmarrje dhe përmirësuar klimën e biznesit, duke mbështetur në veçanti sipërmarrësit me ide novatore, nëpërmjet politikave fiskale e ekonomike, që garantojnë konkurrencën e lirë. 🇦🇱

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA