Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, që vjen nga radhët e komunitetit turk, kërkoi nga Qeveria në detyrë e Kosovës, që të fusë në listën e organizatave terroriste Lëvizjen Hizmet të Fethullah Gulenit dhe Partinë e Punëtorëve të Kurtidstanit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, të mbajtur të enjten, teksa po diskutohej draft-platforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe politikës së sigurisë, Kervan tha se këto dy organizata, mund të dëmtojnë “rëndë” edhe Kosovën.
“Te pika ku përmendet organizata terroriste DAESH (grupi militant, Shteti Islamik), degët e saj dhe të tjerët, këtu nuk përmenden organizatat terroriste që janë të njohura edhe botërisht: Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizata terroriste FETO (v.j. Lëvizja Hizmet). Këta mund ta dëmtojnë rëndë edhe vendin tonë, Kosovën, këtë duhet ta kemi parasysh, sidomos PPK është edhe në listat e BE-së dhe SHBA-së. Patjetër që na nevojitet rritja e bashkëpunimit me Turqinë kundër këtyre organizatave”, tha Kervan.
Por, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se këto vërejtje të ministrit në detyrë, Kervan do t’i dërgohen Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe draft-platforma u miratua pa këto kërkesa.
“Politika e jonë e inteligjencës dhe sigurisë koordinohet me parnerët tanë ndërkombëtarë, do të thotë është në linjë me politikën e tyre”, tha Hoti.
Kosova, që është edhe pjesë e koalicionit global në luftë kundër grupit militant, Shteti Islamik, e njeh këtë organizatë si terroriste.
Që prej puçit të dështuar ushtarak të vitit 2016 në Turqi, Ankaraja zyrtare ka kërkuar që Gulen – i cili gjendet në SHBA – të ekstradohet në Turqi thotë se ai qëndron prapa këtij puçi.
Ndërkaq, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që nga vitet e 80-ta po zhvillon një kryengritje në rajonin juglindor të Turqisë, me shumicë kurde. Prej se ky konflikt ka nisur janë vrarë dhjetëra mijëra persona.
Kosova, në mars të vitit të 2018, ka arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët kanë punuar në shkollën private Mehmet Akif.
Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të lëvizjes “Hizmet” të Gulenit.
Por, arrestimi dhe dëbimi i tyre janë tashmë lëndë e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje./REL/
Top Channel