Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa u vaksinua të mërkurën duke u bërë ndër jugafrikanët e parë që vaksinohet në një klinikë publike në Cape Town.
“Fillimisht ishta pak i tmerruar nga kjo gjilpërë e gjatë që do të ngulej në krahun tim, por ndodhi shpejt dhe me lehtësi dhe ishte vetëm një pickim. Nuk ndjeva dhimbje”, tha Presidenti Cyril Ramaphosa me shaka.
68-vjeçari e mori vaksinën nga kompania Johnson&Johnson në prani të një turme vetëm disa orë pasi 800 mijë doza vaksine mbërritën në Afrikën e Jugut.
Dozat e para do të përdoren për punonjësit e vijës së parë të frontit të luftës kundër koronavirusit. Presidenti i bëri thirrje popullit jugafrikan që të vaksinohet.
“Është një ditë historike për Afrikën e Jugut pasi përfundimisht vaksinat arritën, dhe po administrohen. Pesë pjestarë të sistemit shëndetësor u vaksinuan para meje, dhe ishte kënaqësi të shihja këtë moment, për të parë nësë diçka do t’u ndodhte atyre”,tha presidenti me shaka duke bërë që turma të qeshte.
Vaksinimi i presidentit në publik mund të ndryshojë prirjen zhgënjyese për Afrikën e Jugut e cila ka 1.49 milion raste të konfirmuara infektimesh dhe 48 mijë të vdekur ngakoronavirusi.
Në fillim të muajit, Afrika e Jugut mori 1 milion doza të vaksinës AstraZeneca. Më pas doli njoftimi zhgënjyes që një studim i kryer atje gjeti se vaksina nuk kishte efekt të plotë kundër variantit shumë ngjitës të virusit të përhapur në Afrikën e Jugut. Afrika e Jugut ka në plan të vaksinojë 40 milion njerëz, rreth 67% e popullsisë./VOA/
Top Channel