Pas Austrisë, ankesa ndaj vendimit gjerman për të mbyllur pjesërisht kufijtë ka pasur edhe Luksemburgu. Zona Shengen, një nga arritjet më të mëdha të BE-së po vihet sërish në pikëpyetje, tha ministri i jashtëm i tij Asselborn.
Para gati një viti, Europën e zuri paniku dhe vendosi t’i mbyllte kufijtë me shpresën se kështu mund të frenonte përhapjen e koronavirusit. Tani më duhet të them me keqardhje se po kthehemi në të njëjtat diskutime që u mbajtën në fillim të kësaj krize. Që nga fillimi i pranverës së vitit të kaluar është përsëritur sa e sa herë se: Virusin nuk e ndal dot asnjë kufi kombëtar, kujtoi ai. Asselborn këmbënguli se mbylljet dhe kontrollet e kufijve midis vendeve anëtare të BE-së nuk janë qasja e duhur.
Kjo është arsyeja pse vendet anëtare të BE-së janë angazhuar për një koordinim më të madh në luftën kundër virusit në mënyrë që të shmangin reagime të tilla në ardhmen, shton ai. Presidenca gjermane e Këshillit të BE-së pati një rol udhëheqës në këtë proces.Tani variantet e reja të virusit që duket se po përhapen më shpejt – veçanërisht të ashtuquajturat mutacione “Britanike” dhe nga “Afrika e Jugut” – e kjo përbën shkas për shqetësim.
Kjo ishte arsyeja që Gjermania vendosi sërish kontrolle të rrepta për udhëtarët të cilët vijnë nga Republika Çeke dhe nga Tiroli në Austri. Ato përfshijnë masa më të ashpra hyrëse edhe për qytetarët e BE-së, duke përfshirë detyrimin për të pasur test negativ dhe, nëse është e nevojshme, karantinimin. Edhe vendet e tjera po planifikojnë të ndërmarrin hapa të tilla.
Top Channel