Që kur u mësua fitorja dërrmuese e lëvizjes Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë, kanë mbërritur disa sinjale si nga Bashkimi Europian, ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara në të cilat I mëshohet idesë së dialogut me Serbinë.

Kurti, që nuk e ka renditur këtë proces ndër prioritetet e veta kryesore por se ne fokus do të kete drejtësinë dhe punësimin, deklaroi më herët se dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta. Ai tha se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si “të kompensohet” Serbia për humbjen e Kosovës.

“Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë”, ishte komenti i tij. Së fundi përmes zëdhënësit të tij, Ned Price, ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit I cili e inkurajon Qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’iu japë përparësi negociatave me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.Ai i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, tha Price. Ai u shpreh SHBA-ja e përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare, që u mbajtën më 14 shkurt.“Ne shpresojmë të punojmë me Qeverinë, sapo ajo të formohet, për çështjet prioritare, për të avancuar paqen, drejtësinë dhe begatinë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë”, u shpreh zëdhënësi.

Top Channel