Top Story/ Kontrata “kontrabandë” me Pfizer, ekspertët: Nuk përdor paketimin që ka ardhur në Shqipëri

16/02/2021 23:14

Nga premtimi dhe pritshmëritë e qeverisë shqiptare se në janar do të mbërrinin 10.750 dozat e para, në fakt, nëpërmjet një kontrate krejt të paqartë dhe të debatueshme në mes janari u futën “kontrabandë” vetëm 975 doza.

Pa iu nënshtruar një procesi të rregullt zhdoganimi, pa një kontratë publike dhe pa vlerë çmimi, kjo “ngarkesë sekrete” shtoi mjegullnajën rreth një procesi që duhet të ishte krejtësisht transparent.

Por me paqartësi është shoqëruar edhe administrimi i ngarkesës së dytë të vaksinave të Pfizer. Duke analizuar mënyrën se si kjo kompani i transporton vaksinat, 39 flakonë mund të mos kenë ardhur me kutinë frigoriferike që u pa të zbriste nga avioni, por në tjetër mënyrë.

Duke iu referuar të dhënave të bëra publike nga vetë Pfizer/Biontech njësia bazë e transportit të vaksinave është paketa ose kutia prej kartoni, e cila mban 195 flakone vaksinash. Kjo sasi është përllogaritur të vaksinojë 975 persona, ose 5 persona për çdo flakon. Me qëllim që të mundësohet transporti i sigurt, kompania Pfizer ka ndërtuar një kuti plastike termike, të aftë të ruajë temperaturën midis -60⁰C dhe -80⁰C. Kjo kuti plastike mund të mbajë nga 1 deri 5 kuti kartoni të ngjashme me atë që erdhën edhe në vendin tonë.

Sa herë vjen një kuti plastike e Pfizer, ajo mund të ketë në brendësi të saj nga një deri në pesë kuti kartoni, të cilat kanë në brendësi të tyre një sasi prej 195, 390, 585, 780 ose 975 flakonë.

Shifra e parë prej 975 dozash e mbërritur në janar nuk lë vend për dyshime. Duhet të ketë ardhur një karton brenda një kutie plastike dhe ai i korrespondon 195 flakonëve të mjaftueshëm për të vaksinuar 975 persona. Ndërkohë shifra prej 1170 dozash e mbërritur në fillim shkurti është e çuditshme, sepse përkon me një kuti kartoni që përmban 195 flakonë dhe 39 flakonëve që duhet të kenë ardhur të hapur.

Emisioni i plotë:

Top Channel