Tiranë/ I kërkuar për tentativë vrasje, arrestohet bashkë me policin që e strehonte në banesë! Kapet dhe miku i tyre për trafik droge

16/02/2021 09:21

Tiranë – Një person i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë është arrestuar nga policia e shtetit gjatë natës. Po ashtu mësohet se në pranga ka rënë edhe një oficer policie që u kap në banesë me personin që ishte shpallur në kërkim. Gjatë operacionit është vënë në pranga edhe një person i tretë.

I arrestuari është Arbër Balliu, 32 vjeç, banues në Tiranë,  i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky person, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë  E. K.

Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky person ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Demiraldo Heta., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në  informacionet se personi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë. I arrestuari i tretë është  I. P., 56 vjeç, banues  në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontakt”, për kapjen e personave në kërkim.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Kapet dhe vihet në pranga një person i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë.

Gjatë operacionit është vënë në pranga edhe një shtetas tjetër.

Gjithashtu, gjatë operacionit, është vënë në pranga një oficer policie që u kap në banesë me personin në kërkim.

Sekuestrohen lëndë narkotike dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e saj.

Nga ana e strukturave per Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, u zhvillua operacioni “Kontakt”. Si rezultat i veprimeve të kryera, në rrugën “Ndre Mjeda” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

A. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.

Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin:

D. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.

Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi:

I. P., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet proceduariale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA