Andia Pirja, një 26-vjeçare ka makinat pasion dhe gjatë pandemisë krijoi komunitetin “Shota” për të mbledhur të gjithë vajzat që ndajnë të njëjtën hobi për shpejtësinë.
E ftuar në “Wake Up”, Pirja sqaroi se këtë pasion e ka të trashëguar nga babai i saj dhe qëllimi është të thyhet tabuja se timoni është vetëm për meshkujt.
“Shotat janë një komunitet i ri. Ideja ime ishte në karantinë për tu mbledhur. Nuk ishim mbledhur asnjëherë bashkë dhe mendova pse të mos kemi një grup të vogël, por le të jemi bashkë sic janë djemtë. Duke qenë se njihja shumicën e djemve, thashë pse të mos e kem dhe unë një grup timin dhe thashë ta provojmë njëherë. Ne po thyejmë një tabu në Shqipëri që timoni është për meshkujt.
Unë jam prej vitesh në timon dhe në rrugë e jam në përditshmëri. Të them të drejtën e kam hasur përditë këtë menefregizmin e meshkujve kur femrat janë në timon. Të shohin që je shtrembër që kur shohin që je femër. Mjafton rrudhja e vetullave. Janë kryesisht meshkuj shoferët e këqinj sepse janë gjithë kohës paragjykues”, tha Pirja.
Ndërsa shpejtësia më e madhe që ka arritur ka qenë mbi 260km/h për të arritur limitin e makinës, ku së bashku me të ishin prindërit.
“Kam qenë jashtë Shqipërie. Babi ishte në vend të parë, mami mbrapa. Po testoja limitin e makinës deri në 260. E pashë mamin nga pasqyra dhe nuk e zgjata. Isha në autostradë. Unë mundohem ta ruaj veten në qytet sepse dihet sado që kemi adrenalinën e momentit, duhet të jemi të kujdesshëm por duke mos pasur pistë në Shqipëri, kur e shohim rrugën bosh, edhe e tejkalojmë pak”, tha Pirja.
Top Channel