Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi miratimin e shpejtë të planit të veprimit për bashkëpunim me Bullgarinë, i cili synon kapërcimin e dallimeve mes dy vendeve.
Njoftimi erdhi derisa Zaev komentoi një deklaratë të shefes së diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, se “Maqedonia e Veriut e pareformuar në BE do t’iu shërbejë interesave ruse” dhe se “zgjedhjet në këtë vend, partitë po i fitojnë me retorikë anti-bullgare”.
“Në frymën e konstruktivitetit, ne gjithmonë komunikojmë me një narrativë të kujdesshme dhe dinjitoze diplomatike dhe gjithmonë mbrojmë dinjitetin e popullit tonë. Mund të them se vetëm me një rrëfim miqësor, me një dorë të shtrirë, me politika që gjatë fushatave dhe zgjedhjeve ishin për ndërtimin e miqësisë me të gjithë fqinjët dhe me Bullgarinë, ne i fituam zgjedhjet”.
“Unë pres që fqinjët të jenë miq. Ata mund të presin vetëm miqësi nga ne, një dorë ndihme. Ne jemi ndërtues të miqësisë në rajon dhe nuk kemi as mendime të këqija, as qëllime të këqija ndaj asnjërit prej fqinjëve, as ndaj Bullgarisë mike”, tha Zaev.
Raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë tensionuar nga nëntori i vitit të kaluar, kur Sofja ka përdorur veton për bllokimin e kornizës negociuese midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Dallimet mes dy vendeve kanë të bëjnë kryesisht me aspektet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Zaev tha se pret që në të ardhmen të bëhen përpjekje të përbashkëta për të arritur marrëveshje me Bullgarinë, për të ndërtuar pakte, plane veprimi, programe serioze investimesh dhe çdo lloj aktivitetesh të tjera, që ndihmojnë në afrimin mes dy vendeve.
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, për portalin bullgar “24 orë”, gjithashtu ka folur për afërsinë e Shkupit me Boegradin dhe vendimin e autoriteteve maqedonase për të lejuar mësimin e gjuhës serbe në shkolla, por jo edhe të asaj bullgare.
“Qëllimi i Bullgarisë nuk është t’i prishë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, është e qartë se Beogradi ka një ndikim të fortë në Shkup dhe ekziston një tendencë për të lëvizur më afër gjuhës serbe, biznesit dhe institucioneve. Kjo tendencë nuk është ndalur në 30 vjetët e fundit dhe kjo është e kuptueshme. Lërini të jenë miq! Ne thjesht duam të kemi një marrëdhënie miqësore me ju. Le të jemi të gjithë miq, të jemi të lidhur dhe të ndërtojmë së bashku”, ka thënë Zaharieva.
Top Channel