Kur janë numëruar rreth 90 për qind e votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të se dielës.
Sipas numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.7 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.29 për qind, Lidhja Demokratike me 13.39 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.57 për qind.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën mbrëma se zgjedhjet e së dielës ishin një “referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit” që u fitua. “Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.
“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.
Ai tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. “Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha ai në një paraqitje të përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për postin e presidentes.
Zonja Osmani tha po ashtu se “ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”.
Ajo tha se si presidente do të sigurohet që “interesi ynë nacional të jetë mbi gjithçka tjetër, që kushtetuta të jetë udhërrëfyes ynë i përhershëm, që aleancat tona me miqtë të ruhen dhe thellohen e mbi të gjitha do të jem zëri juaj i munguar për kaq shumë kohë dhe do të sigurohem që gjithnjë të demonstrojë përgjegjësi në mënyrë që nesër të gjithë ne të kemi kurajën për ta parë njëri tjetrin në sy. Nesër lind diell i ri për Kosovën dhe me të edhe mundësia e artë për ta realizuar ndryshimin e pritur për kaq kohë”, tha ajo.
Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që “votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Encouraging to see so many citizens turn out to peacefully vote today, despite the weather & pandemic. Now it’s important to give the @KQZKosova and other #Kosovo institutions time & space to count the votes and do their jobs. #KosovoVotes2021 🗳🇽🇰🇺🇸
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) February 14, 2021
Top Channel