Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit për ‘Taksat Kombëtare’ që parashikon ngrirjen e rentës minerare për 3 vjet për mineralet metalore që përpunohen dhe eksportohen jashtë vendit.
Drafti është miratuar mes debatesh, pasi deputetët e opozitës së re kanë akuzuar qeverinë se ka hartuar një ligj klientelist, siç e quante edhe kreu i Shtetit, teksa kanë kërkuar ndryshime të draftit, për t’i qëndruar variantit fillestar të zerimit të rentës për 1 vit.
“Një ligj i personalizuar për disa emra të caktuar. Të heqësh taksën minerare dhe të marrësh taksën e pronës nuk ka sens logjik. Diferencon edhe sektorin brenda tij dhe nuk garanton shance të barabarta për biznesin”, shprehet Artur Roshi, deputet Balli Kombëtar
“Është një ligj që bën trajtim të pabarabartë. Jam ende për një 1 vit dhe jo për 3 vjet sa ç’pretendon qeveria. Pse duhet të heqim dorë nga këto të ardhura për 3 vjet. Është mundësia për t’a përmirësuar këtë draft”, thotë Edlira Hyseni, deputete.
“Është një ligj që bëhet vetëm për një person. Unë ju ftoj ta votoni kundër”, tha Korab Lita.
Por përfaqësuesit e ekzekutivit kanë hedhur poshtë akuzat, duke argumentuar se një lehtësi e tillë fiskale synon të ndihmojë sektorin e prekur nga kriza.
“Meqenëse dekreti është rikthyer për arsye procedurale unë raoportoj se Ministria e Financave ka draftuar pr.ligjin e propozuar nga Infrastruktura, Shoqatës së Minierave dhe Shoqatës së Prodhuesve. Ky projektligj u dërgua për miratim edhe në ministritë e tjera të linjës. Të punësuarit në këtë sektor që në zona të caktuara e kanë si mundësi të vetme këtë punësim nuk mund të liheshin në baltë në këtë moment”, tha Anila Denaj, ministre e Financave.
“Dekretet na vijnë me një frymë opozitare dhe politike dhe Presidenti në vend të jetë i Republikës së Shqipërisë, është Presidenti I LSI-së”, u shpreh Ervin Bushati, deputet PS.
Efekti që pritet të ketë në arkën e shtetit heqja e kësaj takse deri në fund të vitit 2023 sipas draftit të Financave përllogaritet deri në 500 milionë lekë të munguara. Efekti do të ndjehet më shumë në bashkitë ku kryhet aktiviteti, që janë edhe përfitueset kryesore të këtyre të ardhurave.
Top Channel