Krujë- Qafë Shtamë me probleme/ Ngricat bllokojnë aksin, rrugët e tjera në qarkun Durrës të hapura

15/02/2021 20:59

Situata e shkaktuar nga moti i keq i ditëve të fundit është drejt përmirësimit edhe në rrethin e Krujës megjithatë ende ka zona të izoluara.

Shumica e rrugëve janë të kalueshme me përjashtim të aksit që lidh qytetin e Krujës me parkun kombëtar të Qafë Shtamës. E gjithë zona ndodhet nën pushtetin e ngricave.

Ne ndodhemi në Shkëmbin e Vajës dhe nga këtu deri në njësinë administrative Cudhi rruga është e kalueshme vetëm me zinxhirë, përtej këtij aksi rruga është e pakalueshme.

Parku i Qafë Shtamës është një pikë turistike mjaft e vizitueshme në këtë sezon, po për shkak të rrugës është i paarritshëm.

Gjatë rrugës ne hasëm edhe disa shtetas kinezë që ishin nisur drejt zonës së parkut kombëtar, por për shkak të rrugës së mbuluar nga ngrica nuk mundën dhe vendosën të kthehen.

Edhe furnizimi me energji elektrike që ishte problematik gjatë ditëve të fundit në Malësinë e Krujës i është kthyer normalitetit. Sipas autoriteteve vendore, e vetmja zonë pa energji dhe në pritje të saj është fshati Shqezë.

 

 

 

Top Channel