Sundimi i rendit dhe ligjit, krijimi i vendeve të reja të punës partneriteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha mbështetja e sektorit privat për një zhvillim ekonomik duhet të jetë prioritet i qeverisë së Albin Kurtit.

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë, vendosin këto pika në rend të parë dhe tërheqin vëmendjen se qeveria e re duhet të angazhohet shumë dhe të lërë mënjanë euforinë.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, sidoqoftë, thotë se problemet e akumuluara nga qeveritë e ndryshme janë të shumta dhe sfida e qeverisë së re është e madhe.

Gërxhaliu: Prioritet i qeverisë së re kërkon angazhim dhe përkushtim

“Sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioriteti i parë, krijimi i vendeve të punës duhet të jetë prioritet i dytë, pastaj aspekti social, partneriteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha qasja në mbështetje të sektorit privat për një zhvillim ekonomik që duhet të jetë vërtet në target. Prandaj, besoj se të gjitha këto do te jenë prioritet i qeverisë së re, e cila kërkon angazhim, përkushtim por jo eufori, sepse këto probleme nuk mund të zgjidhen në një periudhë kohore shumë të shkurtër”

Për Gërxhaliun, partneriteti rajonal dhe ai me institucionet ndërkombëtare është i nevojshëm, por vizita e parë e kryeministrit nuk duhet të jetë në Tiranë, por në Uashington, Berlin e Bruksel.

Gërxhaliu: Vizita e parë e kryeministrit të mos jetë Tirana, por të jetë

“Partneriteti me institucione kredibile ndërkombëtare është i pa kontestueshëm dhe në këtë drejtim besoj që duhet të ketë një politikë afruese, integruese dhe jo në start politikë refuzuese. Prandaj, dua të besoj që do të tregohet pjekuri, seriozitet dhe dëshiroj që vizita e parë e kryeministrit të mos jetë Tirana, por të jetë Uashingtoni, Berlini dhe në veçanti Brukseli.

Sipas rezultateve paraprake, Vetëvendosje ka fituar rreth 48 për qind të votave. Pas rezultatit përfundimtar dhe certifikimit të tij, pritet që të konstituohet edhe legjislatura e tetë e kuvendit të kosovës dhe të krijohet qeveria e re e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Top Channel