Pas plotë një dekade në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka ofruar dorëheqje, një ditë pasi kjo parti shënoi rënien më të madhe të përkrahjes qytetare në histori.

Kumtimin e lajmit Mustafa e bëri në mesditën e së hënës në mbledhjen e kryesisë, derisa pas mbledhjes tha se rezultati zgjedhor ka qenë befasi.

Mustafa do të jetë kryetar në largim, deri në zgjedhjet e pasuesit të ri, për çka ka ftuar kuvendin e partisë që të fillojë procedurat.

Përveç Musatafës, në dorëheqje është edhe kryesia.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja ka shënuar një rënie prej 50 për qind, krahasuar me zgjedhjet e 2019-ës kur mori 206 mijë vota.

Në këto zgjedhje, LDK-ja ka rënë nga vendi i dytë, në vendin e tretë, duke krijuar edhe një distancë të thellë me partinë e parë që fitoi 377 mijë vota.

Një dekadë në krye me Mustafën, LDK-ja kishte pasur rritje graduale. Në zgjedhjet e vitit 2014 LDK-ja kishte marrë 184 mijë vota, duke u rritur në186 mijë në vitin 2017.

Rritja më e madhe ishte shënuar në 2019, me kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmani.

Top Channel