Endri Çelaj: Sakrifikoj gjithçka për futbollin! Fanella kuqezi, speciale

15/02/2021 15:09

Endri Çelaj, futbollisti i talentuar shqiptar pa mbushur ende të 18-tat është transferuar nga klubi francez i Paris Saint-German drejt klubit italian të Veronës.

Fillimisht, karrierën e ka nisur tek ekipi i Internacionalit të Tiranës, ku u aktivizua për disa kohë dhe më pas bëri lëvizjen e bujshme drejt Francës, ku u federua si lojtar i PSG. Edhe pse në Francë, Endri shikohej si një talent, ai vendosi të transferohej drejt Italisë.

Jeta e tij futbollistike ka nisur fiks si futbolli, si një lojë. Në një intervistë për fshf.org, për rubrikën “Talenti Shqiptar”, ai tregon se kur i tha të atit se donte të bëhej pjesë e një ekipi moshash, i ati pranoi me idenë për ta mbajtur larg veseve të moshës. Tashmë, Endri, pjesë e Kombëtares shqiptare të moshave, ku mban rolin e sulmuesit të majtë në formacion, synon të marrë sa më shpejt ftesën e trajnerit Reja. Duket i sigurt për grupin e djemve të Kombëtares me të cilët luan, për arritjen e objektivave. Gjatë intervistës, ai thekson se sapo ka filluar të ngjisë shkallët e tij në këtë fushë dhe tregon se për futbollin ka privuar veten e tij nga jetesa jonë normale dhe ka kohë që jeton larg familjes për futbollin.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Në familjen time, mbaj mend që kur isha i vogël, por edhe tani, të afërmit e mi e kanë pasur shumë të theksuar pasionin për lojën e futbollit, flisnin shumë për këtë sport. Nga ata, fillova ta dua dhe unë dhe kur u rrita dhe pak, fillova edhe të luaja me shokët në lagje apo edhe në fusha kalçetoje. Aty kuptova që futbolli nuk ishte thjesht një lojë për të kaluar kohën, por po e mendoja si të ardhmen time.

Një ditë shkova në shtëpi dhe i thashë babait tim që dua të bëhem pjesë e një ekipi moshash dhe ai u gëzua, sepse si çdo baba, mendoi fillimisht që të merresha me sport do të më ndihmonte të mbaja trupin në formë dhe larg veseve. Kur stërvitesha, asnjë person i familjes nuk vinte të më shikonte.

Kjo nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë diçka e mirë, sepse nuk kam pasur presione dhe jam rritur i pavarur që në moshë të vogël. Një pjesë e shokëve të mi e ndjenin pjesën e presionit nga prindërit, pasi kur bënin gabime kthenin kokën nga ata për të kërkuar falje, në vend se të përqendroheshin në lojë. Trajneri im kishte shumë besim tek unë dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua.

– Tashmë je pjesë e Kombëtares se moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare?

– Ndihem shumë mirë me grupin e djemve që luaj. Kam një marrëdhënie shumë korrekte dhe shumë të mirë, si me çunat, ashtu edhe me trajnerin apo të gjithë pjesën tjetër të stafit. Sa herë kemi grumbullime, kalojmë mirë dhe mundohemi të bëjmë më të mirën, në mënyrë që një ditë të bëhemi pjesë e ekipit A. Për mua është shumë e rëndësishme që kemi krijuar miqësi me njëri-tjetrin, sepse nëse mes nesh nuk do të kishte harmoni, e vështirë të arrijmë më lart, apo të marrim rezultate.

– Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Edhe me ekipin, mendoj se jam mirë. Jam shumë i kënaqur, por kërkoj gjithmonë e më tepër nga vetja. Duhet të punoj më shumë me veten, në mënyrë që të ngjis shkallët e mia të karrierës. Mendoj që sapo jam bërë pjesë e një bote, që është totalisht ndryshe. Kam besimin e shokëve dhe të stafit drejtues të klubit dhe për këtë jam i lumtur.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Ka qenë një moment shumë i bukur dhe special kur mora ftesën për t’u bërë pjesë e Kombëtares. Siç e thashë, jam ende i vogël dhe tani po filloj të ngjis shkallët e mia. Tani jam pjesë e ekipit kombëtar të moshave dhe jam me shumë fat. Kur kam veshur për herë të parë fanellën në dhomat e zhveshjes dhe kam zbritur në fushë, kur kemi kënduar himnin dhe kur ka rënë bilbili i parë, janë momente që nuk di si t’i shpjegoj. Uroj që çdo djalë, apo edhe vajzë që luan për Kombëtaren e femrave, ta përjetojë këtë emocion të veçantë.

– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë? 

– Një gjë është e sigurt, ne do të japim shpirtin në fushë dhe do të mundohemi ta përfaqësojmë Kombëtaren ashtu si duhet. Mendoj se çdo objektiv është i arritshëm, jemi një grup i mirë djemsh. Të gjithë shokët e mi të ekipit janë lojtarë shumë të mirë, të cilëve do ua dëgjoni emrat në klube të njohura pas disa vitesh. Jam shumë i sigurt. Na ndiqni dhe besoj se do të krenoheni me ne. Unë e shoh si një skuadër që do të konkurrojë edhe me ekipin e Shpresave për të furnizuar ekipin A.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Kur jam bërë pjesë e klubit të Veronës kam qenë shumë i lumtur. Por besoj se nuk do jetë më i lumtur sesa kur të filloj të luaj rregullisht për këtë klub, apo kur të bëhem pjesë e Kombëtares A.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Kam lënë familjen time në Shqipëri dhe po jetoj jashtë, po jetoj ëndrrën time, futbollin. Është diçka shumë e vështirë të shkëputesh nga familja, nga shokët dhe shoqet dhe të heqësh dorë në njëfarë mënyre nga ata. Gjithsesi, për këtë lojë ia vlen. Ia vlen edhe jetesa ime strikte, me një regjim futbollisti, pasi jeta ime është ndryshe nga e bashkëmoshatarëve të mi.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Siç e thashë, përveç se të bëhem futbollist profesionist, të bëhem pjesë e ekipit kombëtar A dhe të filloj të luaj për ekipin e Veronës.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli im është Kristiano Ronaldo, jo për shkakun se i ngjaj në lojë, por sepse ka një mentalitet ndryshe nga çdo futbollist tjetër. Është një futbollist i palodhur dhe e ndjek edhe mënyrën sesi ai stërvitet apo luan futboll./Fshf/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA