Në një video të publikuar nga lideri rus i opozitës Alexei Navalny, “Pallati i Putinit” u paraqit plot dhurata lukse të dhuruara nga miqtë e pasur. Por më pas një televizion rus transmetoi një panoramë krejt tjetër.
Në video, “u zhduk” dekori i pallatit dhe u zëvendësua me mure betoni të zhveshur. Prona dukej sikur po rindërtohej plotësisht, duke ngritur pyetje se çfarë saktësisht po ndodh në pronë.
Videoja që postoi Navalny ka grumbulluar më shumë se 110 milion shikime që nga publikimi i saj. Kremlini mohon me forcë pretendimet për pallatin dhe presidenti Putin e ka etiketuar atë një “montazh të mërzitshëm”. Që nga ajo kohë, Navalny është burgosur.
Por BBC Russia ka biseduar me disa ndërtues të cilët thonë se kanë punuar në vendin e pallatit midis viteve 2005 dhe 2020, duke e ndërtuar dhe rinovuar atë. Ata konfirmuan shumë nga akuzat në videon e Navalny, duke përfshirë faktin që pallati po rindërtohej pjesërisht për shkak të problemeve me mykun.
Një ndërtues tha se kishte ardhur për të punuar në vendin e ndërtimit në vendpushimin e Detit të Zi Gelendzhik në vjeshtë të vitit 2018. Pallati kishte shumë dekore luksoz, që u panë në videon e Navalny, por mobiljet ishin zhdukur kryesisht. “Më vonë shumica e pallatit u zhvesh“, i tha ai BBC Russian.
Problemi i mykut u shfaq në video dhe Navalny pretendoi se pallati po i nënshtrohej rindërtimit për shkak të tij. Dy ndërtues thonë se e panë vetë mykun. “Muret dhe tavanet ishin të mbuluara me myk. Thjesht myk i zakonshëm, jeshil. Në vende edhe të zeza. Kishte prekur të gjithë ndërtesën. Ne ishim të tronditur”, i tha punëtori BBC.
Pallati u ndërtua duke përdorur pllaka gipsi të bashkangjitura në muret kryesore. Një tjetër ndërtues, tha se kishte punuar në pallat në vitin 2017 dhe se deri atëherë myku nuk ishte përhapur përtej katit të poshtëm të tokës.
Një burim i afërt me Kremlin konfirmoi për BBC Russian se myku ishte një problem i vërtetë: “pallati kishte përfunduar dhe ishte përdorur për disa vjet, por më pas u shfaq kërpudhat, të shoqëruara nga një erë e pakëndshme”.
Punëtori u ankua se ata i kishin thënë vetëm “për ndonjë gërvishtje”. “Të gjitha ato dollapë ishin bërë nga druri i shtrenjtë. Aq shumë njerëz punuan aty, aq shumë materiale. Dhe pastaj ata na thonë ‘prisni telat, hiqini të gjitha këto, prisheni’,” tha ai.
Ndërtuesit besojnë se e gjithë ndërtesa është dashur të dezinfektohet të paktën dy herë. Ata mendojnë se problemet vijnë nga afërsia e ndërtesës me detin dhe mungesa e ventilimit.
Problemet mendohet se së pari kanë dalë kur një copë allçi gati sa nuk ra në një pastrues në katin e poshtëm të tokës, pranë pishinës. Fillimisht plani ishte për rinovime estetike por sapo hapën “muret e rreme”, ndërtuesi tha se kuptuan që myku ishte përhapur në të gjithë shtëpinë.
Kur vizitoi pronën në vjeshtë 2011, një ndërtues me të cilin foli BBC tha se përshtypja e tij e parë ishte se ishte sikur po ndërtoheshin piramidat egjiptiane.
“Rreth 1.500 njerëz që punuan në vendin e ndërtimit në atë pikë. Kishte rusë, uzbekë, kishte ushtarë. Kishte një nxitim për ta përfunduar atë”.
Një tjetër punëtor tha se të gjitha shenjat e ndërtimit ishin të kamufluara kështu që ato nuk mund të dalloheshin nga deti. “Të gjitha strukturat prej betoni dhe metali kishin kodra, pemë, bar dhe shkëmbinj të pikturuar mbi to për t’i mbuluar, për t’i bërë ato të shkriheshin me peisazhin“.
Kishte një kopsht japonez dhe punëtori shprehet i impresionuar me pishinën në nivelin e dyshemesë: “Ju as nuk mund ta dalloni se është atje“. Shumë nga punëtorët të cilët i thanë BBC se kishin punuar në 15 vitet e fundit flasin për rindërtimin e shpeshtë.
Kishte gjithashtu një palestër të madhe të ndërtuar nga mermeri, por që zgjati vetëm dy ose tre vjet, shtoi ai. “Unë isha aq i befasuar kur një fadromë u shfaq një ditë dhe filloi ta shkatërronte atë“.
Top Channel