Gjoba 5 milionë lekë për ceremoninë ku Meta dekoroi arkeologun, LSI proteston para policisë në Durrës

12/02/2021 16:48

LSI ka protestuar para policisë së Durrësit ditën e sotme për të kundërshtuar gjobën që iu vendos një ditë më parë drejtuesit të shoqatës “Durrësit autokton”.

Avdullah Deliallisi u ndëshkua me 5 milionë lekë gjobë pasi akuzohet për thyerje të masave anti Covid duke lejuar që të organizohet një ceremoni festive.

Gjoba u vendos pas aktivitetit të zhvilluar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, gjatë të cilit Presidenti i Republikës nderoi pas vdekjes, arkeologun Vangjel Toçi me titullin “Nderi i Kombit”.

Policia mori masa për mos respektim të aktit normativ që detyron të mos ketë grumbullime mbi 10 persona gjatë pandemisë.

Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D. (përfaqësues i  një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe i fton ata të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët”, njoftoi policia një ditë më parë.

Top Channel