Zona e Currilave në Durrës po përballet vazhdimisht me rrëshqitje dherash që shkëputen nga shpatet e kodrës dhe përfundojnë mbi rrugë e biznese. 

Shëtitorja, pista e vrapimit dhe ajo për biçikleta, si pjesë e investimit prej 2 milion dollarësh të kryer në vitin 2014 nuk duken më. Janë zhdukur nën peshën e dheut dhe fuqisë së natyrës që ndëshkon për çdo veprim të papërgjegjshëm të njeriut.

Rrëshqitjet nisën pas prerjes masive të pemëve në kodër dhe ndërhyrjeve të shumta në të, ndërsa investimi për kthimin e Kodrës së Currilave në gjendjen natyrale rezultoi i dështuar. Për shkak të rrëshqitjes së dherave, e gjithë zona poshtë kodrës vazhdon të jetë me rrezik për qytetarët, bizneset dhe kalimtarët.

Buzë detit, kjo zonë, nga më të bukurat në Durrës, ka degraduar dhe kërkon një zgjidhje afatgjatë, në mënyrë që të shmangen pasojat dhe kostot e vazhdueshme mjedisore dhe ekonomike që i sjell qytetit pas çdo rrebeshi shiu.

Top Channel