Divjakë- Dy administratorë biznesesh janë gjobitur me nga 1.000.000 lekë pasi kanë lejuar të organizojnë aktivitetet politike në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19.
Gjoba është vënë administratorit të lokalit pasi ka lejuar grumbullime të forcës politike PD, në kundërshtim me aktin normativ. Sipas informacioneve të mara pranë Drejtorisë së policisë gjoba u vendos pas fotove të publikuara në rrjetet sociale nga kryetari i PD Divjakë, Julian Gjini.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësues i një subjekti politik, në kundërshtim me Aktin Normativ, kishte organizuar dhe zhvilluar aktivitete duke krijuar grumbullime personash, në ambientet e dy lokaleve në Divjakë dhe në Çermë-Sektor, përkatësisht me administratore shtetasen E. M., dhe shtetasin Sh. A., ndëshkuan me masë administrative 1.000.000 lekë secilin prej administratorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.
Top Channel