Takimet elektorale në shkelje të masave anti Covid të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë monitoruar nga policia.
Një ditë më parë ndodhi edhe një përplasje verbale mes policisë dhe drejtueses së LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ndërsa sot policia ka njoftuar gjobitjen me 5 milionë lekë të ish-deputetit të LSI-së Endrit Brahimllari. Si provë janë pamjet e shpërndara nga vetë Brahimllari në Facebook-un e tij personal. Ai ka qenë në një takim elektoral me mbështetësit e LSI-së në Maliq ku duket qartë që ka mbledhur bashkë një numër shumë të madh personash në ambiente të mbyllura.
Policia njofton se njëkohësisht është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë edhe administratorja e lokalit, e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti në ambientin e pronës së saj.
Dje është gjobitur me 5 milionë lekë edhe organizatori i një takimi me presidentin Ilir Meta në Durrës. Ai është Avdulla Deliallisi, drejtues i shoqatës ”Durrësi Autokton”. Pasditen e kaluar në sallën e teatrit ”Aleksandër Moisiu” të qytetit u zhvillua një ceremoni festive gjatë se cilës u nderua nga presidenti i Republikës me titullin ”Nderi i kombit” pas vdekjes arkeologu Vangjel Toçi.
Në Divjakë dy lokale morën nga 1 milionë lekë gjobë sepse kishin organizuar në ambientet e tyre mitingje politike të organizuara nga Partia demokratike.
Top Channel