Nisi si një shaka në fillim të izolimit, por Dot McCarthy nga ferma Cronkshaw Fold, e ka bërë biznesin e saj të suksesshëm duke dhënë me qira dhitë e saj për t’u shfaqur në telefonata në Zoom.
Për 5 paund, kushdo që do ti japë pak ngjyra punës online ose takimeve familjare, mund të ftojë një dhi që të marrë pjesë në të.
“Në kohën e izolimit të parë, unë kisha në punë vetëm dy punonjës të stafit dhe po shqetësohesha sepse pagat e tyre vareshin nga puna, dhe ne nuk po fitonim më asgjë. Ndaj nisa të mendoja si të fitoja më shumë para. Filloi si një shaka, ideja e nxjerrjes së dhive në video-telefonata, për ti bërë një shaka njerëzve në rutinën e tyre të punës, por gjërat shkuan atje ku unë nuk e kisha imagjinuar”, thotë McCarthy.
Dhe në fakt, një vit më parë, të fusje dhitë në mes të takimeve të biznesit, do të dukej një ide shumë e keqe. Por kohët kanë ndryshuar shumë. Ajo shakaja e vogël, është bërë tani diçka e madhe dhe i ofron biznesit të ardhura të kënaqshme pavarësisht vështirësive të situatës. Vetë pronarja e fermës thotë: “Fillimisht mendoja se duhej thjesht ti jepnim njerëzve një mundësi për të qeshur. Por ajo që ndodhi më pas ishte e habitshme….njerëzit tani thonë: ‘Po, unë kam nevojë për një dhi“.
Një mbrëmje në fillimet e pandemisë, McCarthy e postoi idenë në faqen e internetit të fermës. Mëngjesin tjetër, kur u zgjua, kishte 200 email-e që kërkonin biseda me një dhi…dhe në 11 muajt e fundit, nga ferma, janë realizuar më shumë se 10 mijë video telefonata.
Top Channel