Me një mesazh televiziv mbrëmjen e së martës kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar një lockdown 18 ditor për Athinën dhe gjithë periferinë e saj.
Masat e reja do të specifikohen gjatë së mërkurës dhe vlerësohet se përfshijnë: Vendosjen e orës policore nga e hëna deri të premte nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit kurse në fundjavë ajo do të fillojë prej orës 18.00. Mbylljen e shkollave dhe kopshteve të të gjitha niveleve. Mbylljen e gjithë biznesit të vogël dhe dyqaneve me pakice si dhe qendrave estetike, parukerive etj.
Gati një vit pas shpërthimit të pandemisë në Greqi, Mitsotakis ka bërë thirrje për durim dhe respektim të masave gjatë dy muajve të ardhshëm, masa të cilat mund të shtrëngohen apo lirohen sipas të dhënave epidemiologjike, të cilat për momentin kishin arritur në nivel të rrezikshëm.
“Bazuar në të dhënat e reja, unë marr përgjegjësinë e masave shtesë për mbrojtjen e shëndetit publik. Kështu, nga e enjtja 11 shkurt, deri më 28 shkurt, do të ketë masa shtrënguese të reja në Atikë. Kjo do të thotë që të gjitha dyqanet e shitjes me pakicë janë të mbyllura dhe tani e tutje të gjitha nivelet e arsimit do të funksionojnë nëpërmjet internetit”- tha Mitsotakis.
Sipas kryeministrit Mitsotakis Greqia po i reziston në mënyrë efektive valës së tretë të koronavirusit duke qenë e 23 nga 27 vendet anëtare sa i përket humbjeve të jetëve njerëzore. Të jemi optimiste ka përfunduar ai pasi po shkojmë drejt 500.000 vaksinimeve në të gjithë vendin dhe po punojmë fort për përfundimin e procesit.
Me 1526 rastet e të prekurve në 24 orët e fundit Greqia regjistron mbi 166.000 të infektuar prej fillimit të pandemisë. Gjithashtu 6017 persona kanë humbur jetën prej të cilëve 20 gjatë ditës së martë, ndërsa numri i të intubuarve përsëri është rritur duke shkuar në 277.
Top Channel