Personi më i vjetër në Evropë, murgesha franceze, Andre, ka mposhtur sëmundjen Covid 19, dhe do të festojë ditëlindjen e saj të 117-të këtë javë.
Lucile Randon, që ka marrë emrin Motra Andre kur i është bashkuar rregullit katolik më 1944, ka rezultuar pozitive në testet për koronavirus në një shtëpi për kujdes të të moshuarve në Toulon në jug të Francës, më 16 janar. Ajo ka qenë e izoluar nga banorët tjerë, mirëpo nuk ka shfaqur simptoma. E pyetur nëse ka qenë e frikësuar që është infektuar, Motra Andre i ka thënë televizionit francez, BFM se nuk ka qenë e frikësuar që mund të vdesë.
“Jam e lumtur që jam me ju, mirëpo do të doja të isha diku tjetër ,t’i bashkohesha vëllait, gjyshit dhe gjyshes”. David Tavella, zëdhënës për shtëpinë ku jeton ajo, ka thënë se ajo është mirë me shëndet. “Ne konsiderojmë se ajo është shëruar. Ajo është e qetë dhe mezi po pret të festojë ditëlindjen e saj të 117-të këtë të enjte”. Ai ka thënë se Motra Andre, e cila është e verbër, do të festojë ditëlindjen e saj me një grup të vogël të banorëve, për dallim nga e kaluara, meqë ekziston rreziku për infektim nga koronavirusi.
“Ajo ka qenë shumë me fat”, ka shtuar ai. Motra Andre, e cila ka lindur më 11 shkurt të vitit 1904, është gruaja e dytë më e vjetër në botë. Gruaja më e vjetër në botë është japonezja, Kane Tanaka, e cila ka festuar ditëlindjen e 118-të më 2 janar.
Top Channel