Fushata në kushte pandemie/ Çupi: Politikanët nuk burgosen! Blejnë vila e shkollojnë fëmijët në botë dhe të hedhin ligjin turinjve

10/02/2021 21:54

Analisti Frrok Çupi ka folur për shkeljen e ligjit nga politikanët, të cilët po zhvillojnë fushata në kushte pandemie dhe nuk po respektojnë rregullat duke u kthyer në burim infeksioni.

Në “Open”, Çupi tha se politikanët sot blejnë vila e shkollojnë fëmijët në botë, ndërsa të hedhin ligjin turinjve.

Frrok Çupi: Kjo është një situatë e gjerë sa ç’është bota dhe këdo që të veçosh prej pandemisë, kudo ka një analizë, një problem, një çështje të madhe. Kam ndjekur, është detyra ime të ndjek gjithë zhvillimet botërore, janë në vështirësi shumë të mëdha. Johnson akuzohet se shpërfill popullin e vet dhe nuk mban maskën.

Ne presim se kriza do të ndryshojë sjelljen tonë dhe më pas do të kemi krizë socio-politike shumë të gjerë. Kjo që ndodh këtu nuk është thjesht krizë e pandemisë, por edhe e demokracisë. Pandemia e futi vendin në krizën e demokracisë. Elementët themelorë janë besimi i ndërsjelltë, qytetarët, qeveria me politikën dhe individët. Shpërfillja është çështje morale, është fjalor moral. Këtu është problem që politikani shkel ligjin hapur dhe nuk burgoset, nuk gjobitet. Këtu janë “ligjin e bëj unë”. Jemi në shekuj mbrapa. Në momentin që politika shkon në pikën “ligjin e bëj unë”, kjo është për të vënë alarmin. Të tilla janë akte barbare ndaj ligjit. Nëse sot shkel ligjin tek maska, më parë ka shkelur të gjitha normat, blen vila, shkollon fëmijët në botë dhe të hedh turinjve ligjin që e ka bërë vetë në parlament. Dhe çfarë të shohë populli më parë, krizën e vdekjes apo të politikës?

Top Channel