Qentë dhe macet shtëpiake në kryeqytetin e Koresë së Jugut do të testohen për Covid 19 nëse shfaqin simptoma.
Ky është vendimi më i fundit i qeverisë lokale të Seulit. Kjo vjen pak javë pasi vendi raportoi rastin e parë të koronavirusit në një mace shtëpie.
Vetëm kafshët që do të shfaqin simptoma, si temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, pasi të jenë ekspozuar ndaj bartësve njerëz të virusit, do të testohen. Kafshët duhet të karantinohen në shtëpi nëse rezultojnë pozitive për virusin. Nuk është e nevojshme që kafshët të dërgohen në një vend izolimi pasi nuk ka prova se Covid 19 mund të përhapet mes njerëzve dhe kafshëve, thanë zyrtarët.
Por, nëse pronarët e kafshës janë të shtruar në spital me Covid 19, ose janë shumë të sëmurë apo të vjetër për tu kujdesur për to, kafshët do të çohen në karantinë në një qendër të menaxhuar nga autoritetet lokale. Në Korenë e Jugut, pacientët njerëz me Covid 19, zakonisht futen në qendra karantine nëse nuk kanë nevojë për trajtim spitalor.
Ekspertët këshillojnë njerëzit që ti mbajnë kafshët e tyre shtëpiake të paktën dy metra larg nga njerëzit apo kafshët e tjera, kur dalin për shëtitje jashtë.
Top Channel