Brenda dy ditëve në Greqi janë dyfishuar rastet me variantin e virusit britanik, por edhe atij afrikano-jugor ç’ka ka alarmuar në maksimum autoritetet shëndetësore të vendit.

Tashmë numri i tyre përkatësisht ka shkuar në 397 dhe 6 persona të infektuar, ndaj dhe specialistët e epidemiologjisë kërkojnë nga qeveria të ketë reduktime të mëtejshme të lëvizjes së njerëzve pasi shpërndarja e varianteve të reja të virusit do të jetë tepër e madhe në ditët në vijim.

Qytetet, ku regjistrohen rastet me mutacionin britanik të koronavirusit janë Athina ,Selaniku, dy qytete ne Kretë dhe Kozani, ndërsa në Selanik janë zbuluar 4 raste me variantin afrikano-jugor dhe 2 të tjera në Janinë.

Jemi të shqetësuar për mutacionin për shkak të shpejtësisë së tij të përhapjes dhe kjo mund te sjellë mbushjen e shtretërve të spitaleve shumë më shpejt se sa me virusin e zakonshëm“, shprehen specialistët qe kërkojnë menjëherë nga qeveria qe thuajse shumica e njerëzve te punojnë nga shtëpia si dhe të rritet numri i testeve të përditshme.

Sipas tyre nga të dhënat e deritanishme për virusin e ri:

Transmetohet më shpejt sesa lloji i thjeshtë i koronavirusit.

Vaksinat e deritanishme nuk duket të jenë mjaft efektive.

Mund te infektohen edhe ata qe janë diagnostikuar me koronavirus.

Nuk ka asnjë provë që shkakton efekte më serioze ose se është më vdekjeprurës.

Ashtu si lloji i thjeshtë, është më i rrezikshëm kur prek të moshuarit dhe njerëzit që i përkasin grupeve me historik te rënduar shëndetësor

Greqia ka regjistruar 24 orët e fundit 733 raste me covid-19, 21 vdekje, ndërsa numri i të intubuarve ka shkuar në  262.

Top Channel