Rusia ka dëbuar diplomaten shqiptare, Jonida Drogu nga Moska si një kundërpërgjigje ndaj dëbimit të një diplomati rus nga ana e Tiranës.

Njoftimi është bërë nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila tha se sekretarja e parë e Ambasadës së Shqipërisë në Moskë është shpallur person i padëshiruar (non grata). Ajo është urdhëruar që ta lëshojë vendin brenda 72 orësh.

“Më 8 shkurt, ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni është thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe është njohur me letrën ku Sekretarja e Parë e ambasadës shqiptare është shpallur person non grata”, thotë ministria e Jashtme e Rusisë, bëjnë të ditur mediat ruse.

Në njoftim thuhet se ky hap është marrë si përgjigje ndaj vendimit të Shqipërisë për të dëbuar Sekretarin e Parë të Ambasadës ruse në Tiranë “me pretekste të trilluara”.

Ministria e Jashtme e Rusisë, mes tjerash thotë se veprimet e Tiranës do të dëmtojnë marrëdhëniet e dy vendeve.

“Veprimet shqiptare kundërshtojnë pretendimet e Tiranës për synimin për të zhvilluar marrëdhënie miqësore midis vendeve tona dhe në mënyrë efektive shtyjnë prapa perspektivën e kapërcimit të ngecjes në marrëdhëniet dypalëshe. Një mospërputhje e tillë është për të ardhur keq”, shtoi Ministria e Jashtme.

Më shumë se dy javë më parë, autoritetet shqiptare dëbuan sekretarin e parë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë, pasi siç thanë, që nga muaji prill i vitit 2020, ky diplomat ka shkelur në mënyrë të “përsëritur” kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Shqipëria shpall “person non grata” diplomatin rus

Ministria e Jashtme e Shqipërisë në arsyetimin e saj pati thënë se çështja e shkeljes së masave të kufizimit ishte adresuar të ambasadori i Rusisë në Tiranë, por diplomati rus kishte vazhduar të mos i përfillte ato.

Pas kësaj mase të Tiranës, kishte reaguar Ministria e Jashtme e Rusisë, duke e cilësuar këtë vendim si “provokim”.

Rusia pretendoi se diplomati i saj u dëbua përmes një “arsyetimi tërësisht të sajuar”.

Rusia akuzoi autoritetet shqiptare se po “bashkëpunojnë me forcat kundër Rusisë”, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin prill.

Rusia e quan “provokim” dëbimin e diplomatit nga Shqipëria

Edhe në vitin 2018 Shqipëria kishte dëbuar dy diplomatë rusë. Në atë kohë ishte thënë se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre diplomatik.

Tirana dhe Moska rivendosën raportet diplomatike më 1991, 30 vjet pasi regjimi komunist i Shqipërisë kishte prishur lidhjet e ngushta që kishte me Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA