Protestat pro Navalnit/ Fotografia simbol shitet për afro 27,000 dollarë

08/02/2021 15:34
Foto ilustruese

Një fotografi e bërë në një stacion policie nga fotografi i njohur rus, Dmitry Markov, e që është bërë më pas simbol online i protestave në mbështetje të politikanit të burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalny, është shitur për dy milionë rubla, apo afro 27 mijë dollarë.

Markov, në një postim në Facebook, tha se fotografia, e cila tregon një polic të ulur në një tavolinë dhe mbi të portretin e presidentit rus, Vladimir Putin, është blerë në një ankand në internet nga një person me emrin Yekaterina. Ai tha se paratë do t’iu jepen dy grupeve që përqendrohen te të drejtat e protestuesve në Rusi – OVD-Inform dhe Apologjia e Protestës.

Markov e ka bërë fotografinë kur është arrestuar së bashku me qindra protestues pro Navalnyt, më 2 shkurt, dhe është dërguar në stacionin e policisë në Moskë.

Në atë ditë, një gjykatë në Moskë e shpalli Navalnyn fajtor për shkelje të dënimit me kusht, në një rast për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, rasti është i motivuar politikisht. Gjykata e ka kthyer dënimin me kusht në dënim me burgim për tre vjet e gjysmë. Marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, gjykata ka thënë se Navalny do të qëndrojë 2 vjet e 8 muaj pas hekurave. Vendimi i gjykatës ka shkaktuar protesta në të gjithë Rusinë. Navalny, kritik i Kremlinit, është arrestuar në një aeroport të Moskës më 17 janar, pas mbërritjes nga Gjermania, ku është trajtuar për një sulm me agjent nervor. Ai e ka akuzuar Kremlinin për sulmin, por Kremlini e ka mohuar çdo përfshirje

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA