Maqedonia e Veriut nënshkroi të hënën kontratën për furnizim me 200 mijë vaksina kineze kundër koronavirusit nga prodhuesi Sinofarm.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por nuk u dha ndonjë datë e saktë për mbërritjen e vaksinave. Nga Ministria e Shëndetësisë shpresojnë se vaksinat mund të arrijnë gjatë muajit shkurt. Detajet më specifike të marrëveshjes mbeten konfidenciale, sepse, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një gjë e tillë është në përputhje me politikën globale të të gjitha kompanive të vaksinave, përfshirë Sinofarm.
“Vaksinimi për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi do të luajë një rol kryesor në zvogëlimin e efekteve të dëmshme në shëndetin e popullatës dhe shoqërisë në përgjithësi, duke forcuar imunitetin kolektiv gjatë pandemisë. Imunizimi është një armë e fuqishme në luftën kundër koronavirusit, por, përkundër kësaj, masat shëndetësore për mbrojtjen personale duhet të vazhdojnë të respektohen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup.
Personat që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, nëse dëshirojnë të vaksinohen, do të mund ta bëjnë këtë vetëm në konsultim me mjekun specialist, tha Ministria e Shëndetësisë. Sipas Sistemit Kombëtar të Imunizimit kundër COVID-19, në fazën e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, të angazhuar me pacientë me këtë sëmundje, si dhe personat mbi 70 vjeç.
Në fazën e dytë do të vaksinohen punëtorët me rrezik më të ulët, punonjësit në institucione vitale, personat mbi 65 vjeç dhe më të rinjtë nëse kanë sëmundje shoqëruese, ndërsa në fazën e tretë të gjithë ata që duan.
Top Channel