Fermerët në Indi bllokuan akset kryesore të rrugëve gjatë protestave disa orëshe të shtunën, të cilat tërhoqën vëmendje ndërkombëtare dhe u mbështetën nga një numër emrash të njohur, mes të tjerëve dhe nga këngëtarja amerikane Rihanna
Prej afro dy muajsh dhjetra mijëra fermerë po protestojnë në Indi, duke përdorur traktorë e automjete për të bllokuar rrugët teksa kërkojnë anulimin e një legjislacioni të ri për bujqësinë.
Më shumë se gjysma e popullatës së Indisë punon në ferma, që do të thotë rreth 650 milionë njerëz.
Bujqësia është një e gjashta e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Por sektori ka qenë në rënie nga viti 2014 deri në 2019, çka besohet se vjen nga inflacioni i përgjithshëm e inflacioni i çmimit të produkteve.
Tre ligjet e reja bujqësore të qeverisë duket se i vunë kapakun çështjes teksa sipas kritikëve ato lehtësojnë edhe më tej rregullat e vendosjes së çmimeve të shitjes e blerjes të prodhimit bujqësor.
Përveç anullimit të tyre, protestuesit kërkojnë dhe ‘çmime minimale mbështetjeje’ për produktet e tyre.
Krerët e partisë në pushtet Bharatiya Janata Party (BJP) thonë se çmimet e reja dyfishojnë të ardhurat e fermerëve, siç kishte premtuar kryeministri Narendra Modi në 2016.
Tashmë fermerë në shumë zona të Indisë i janë bashkuar protestave të nisura nga fermerët e krahinave Punjab e Haryana.
Gjykata e lartë e Indisë ka pezulluar zbatimin e ligjeve, të cilat mes të tjerave heqin drithërat, vajrat e qepët nga lista e ushqimeve esenciale, duke hequr çdo kufizim për tregtimin e tyre.
Por fermerët thonë se kjo prish rregullimin e çmimeve dhe heq atë që njihet si ‘Çmimi Minimal i Mbështetjes’.
Ky i fundit i garanton fermerëve të ardhurat minimale duke caktuar një çmim uniform për të korrat e tyre.
Shumica e fermerëve indianë punojnë në ferma të vogla me të ardhura të vogla vjetore. Ata nuk janë në gjendje ta nxjerrin prodhimin jashtë zonave të tyre prej shpenzimeve shtesë.
Protestuesit thonë se kjo do të shkaktojë krijimin e një konsorciumi lojtarësh privatë që do të kontrollojnë të gjithë tregun.
Protestat e fermerëve indianë u bënë të dhunshme më 26 janar, Ditën e Republikës së Indisë kur një grup fermerësh me traktorë sulmuan Red Fort, një fortesë historike në qytezën e Delhi.
Qindra fermerë e policë u plagosën, ndërsa një protestues u vra në një incident. Fermerët dënuan dhunën e përdorur por thanë se nuk do të heqin dorë nga protestat.
Të shtunë më 6 shkurt, mijëra fermerë bllokuan rrugët kryesore në të gjithë Indinë për disa orë me traktorë, kamionë e objekte.
Disa raunde bisedimesh me qeverinë nuk kanë arritur të japin një zgjidhje.
Në bisedimet e fundit qeveria ofroi të pezullonte ligjet për 12 deri në 18 muaj por oferta u refuzua. (Express.co.uk)
Top Channel