Në lagjet shkodrane, ashtu sikurse në shumë lagje të tjera shqiptare, janë prodhuar qindra talente. Një ndër to është edhe Matilda Tanushi, e cila spikati në ndeshjet me Kombëtaren e vajzave U-16, duke pasur një rol kyç në mesfushën e formacionit të hedhur nga Agustin Kola në lojë.
Tanushi është pjesë e ekipit të Juban Danjës, ekip në të cilin është rritur dhe e konsideron si familjen e dytë. Në një intervistë për fshf.org, për rubrikën “Talenti Shqiptar”, teksa përmend sakrificat, ajo shprehet se ka luftuar me veten për t’ia dalë të luajë futboll, duke mposhtur mentalitetin e njerëzve në kokën e saj. Momenti më i lumtur për të ka qenë kur ka marrë ftesën nga Kombëtarja dhe është bërë pjesë e saj. Tashmë, synimi i radhës është Europa. Në këtë intervistë, Matilda tregon emocionet e debutimit me Kombëtaren, marrëdhëniet me ekipin kuqezi dhe klubin, idhullin si dhe ka një mesazh për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Futbollin e kam pasur sportin tim të preferuar, që kur isha e vogël. Mbaj mend se ndërsa shoqet e mia preferonin të luanin lojëra të tjera, unë dilja në lagje dhe luaja futboll. Më bënte të ndihesha mirë dhe vetvetja. E gjeja veten te futbolli dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse vijova të luaj dhe sot jam pjesë e ekipit të KF Juban Danjës. Njeriu i parë që ka besuar tek unë është presidenti i ekipit të Jubanit, Ferdinand Jaku. Më besoi duke më dhënë mundësinë më të madhe që më është dhënë deri tani në jetë, të bëhem pjesë e ekipit të Jubanit. Aktivizohem që e vogël me këtë klub dhe pa dyshim që janë familje e dytë e imja, jo thjesht një klub ku unë luaj futboll.
– E thashë më sipër, ne nuk jemi thjesht disa vajza që luajmë thjesht futboll. Ne jemi një familje, kemi një marrëdhënie si me njerëzit e familjes. Nuk e konsiderojmë njëra-tjetrën thjesht si kolege, por ne jemi mikesha edhe jashtë fushe. Edhe me drejtuesit kemi një marrëdhënie mjaft të afërt. Edhe me gocat e ekipit te Kombëtarja kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë. Edhe trajneri, profesor Agustini na ka mbajtur shumë afër dhe për aq pak kohë kam mësuar shumë nga ai. Mezi po pres grumbullimet e radhës dhe të jem sërish pjesë e ekipit kombëtar.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
– Besoj se kushdo që luan futboll, stërvitet, luan fort dhe ëndërron që një ditë të bëhet pjesë e Kombëtares. Kur kam veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, në shkurtin e vitit të shkuar, kam ndjerë emocione të veçanta. Hera e parë që zbrisja në një fushë dhe në një stadium aq madhështor si “Air Albania” dhe hera e parë me Kombëtaren. E kisha veshur më parë fanellën, por nuk ka të njëjtat emocione, ta veshësh si futbolliste dhe ta veshësh si tifoze.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?
– Deri tani, momenti apo fitorja ime më e madhe është ftesa që kam marrë nga Kombëtarja.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?
– Kam luftuar shumë me veten. Kjo është sakrifica ime më e madhe, lufta me veten. Dhe ia kam dalë që të fitoj, duke qenë sot pjesë e fushës. Sot po jetoj ëndrrën time, futbollin.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Të vazhdoj të luaj futboll dhe të jem pjesë e ndonjë klubi në Europë. Gjithashtu, dua të vijoj të bëj krenarë familjarët e mi dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe më mbështesin në këtë rrugëtim.
– Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?
– “Më mirë vonë sesa kurrë” është një shprehje që e kam dëgjuar shumë shpesh nga njerëz më të mëdhenj se unë. Është një lajm shumë i mirë sesi futbollit të femrave po i jepet tashmë rëndësia e duhur.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
– Idhulli im është ylli botëror Lionel Messi.
– Çfarë mesazhi u jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Mesazhi im, ashtu sikurse mesazhi i shumë vajzave të tjera është të ndjekin ëndrrën. Mentalitetin duhet ta lënë pas krahëve, pasi nuk do të mund të bëjnë përpara. Kjo është vetëm një ndër dëshirat, pasionet dhe ëndrrat që mund të kenë, ndër shumë të tjera. Dhe a duhet ta ndalojnë, vetëm sepse dikush thotë se futbolli nuk është për vajza? Unë e thashë më sipër, së pari luftova me veten dhe ia kam dalë. Sot, jo vetëm që jam shumë e lumtur, por edhe e bekuar, pasi njoh shumë shoqe të reja, jam më shumë sociale, po ndjek pasionin dhe ëndrrën. Futbolli është një sport që ka në thelb socializimin, përveç se kënaqësisë që të jep kur luan. I ftoj të na shikojnë ne dhe të kërkojnë të bëhen pjesë e futbollit. Futbolli nuk është vetëm i djemve, por i çdokujt./SS/
Top Channel