Maqedonia e Veriut nënshkruan të hënën marrëveshjen me autoritetet kineze për blerjen e 200 mijë vaksinave kundër koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të shtunën ka bërë të ditur edhe metodologjinë e vaksinimit të popullatës, por pa saktësuar se kur mund të arrijnë dozat e para të vaksinës kineze. “Dozat e siguruara do të shërbejnë për vaksinimin e 100 mijë personave.

Të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 70 vjeç. Pikat e vaksinimit do të funksionojnë me kapacitet maksimal, konkretisht nga 2000 deri në 2500 vaksinime në ditë. Kjo vaksinë është e sigurt sikur edhe të gjitha vaksinat tjera”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media në Shkup.

Sipas planit të Ministrisë, në fazën e dytë do të vaksinohen personat mbi 65 vjeç, ata të moshës nga 18 deri 64 vjeç dhe që vuajnë nga sëmundje të tjera, farmacistët, stomatologët, të punësuarit në Kuvend, në Qeveri, gazetarët, si dhe punonjësit e institucioneve arsimore dhe në kopshte të fëmijëve.

“Imunizimi është arma më e fuqishme në luftën kundër virusit. Por, duhet të respektohen masat tjera shëndetësore nga ana e qytetarëve, si mbajtja e maskës, distanca fizike, të cilat së bashku me vaksinimin do të mundësojnë mbrojtjen më të mirë nga COVID-19 dhe kapërcimin e pandemisë”, ka deklaruar Filipçe.

Top Channel