Kukësi pret Kastriotin, fitorja i rikthen pretendimet për titull

07/02/2021 11:03

Me sfidën Kukësi-Kastrioti, e planifikuar për sot në orën 13:45, do të mbyllet edhe gjysma e parë e sezonit në Kategorinë Superiore, që deri tani është luajtur me një intensitet të pazakontë, kjo për shkak të vonesës që solli pandemia e protesta e Ligës Profesioniste.

Mbyllja për dy javë e stadiumit “Elbasan Arena” dhe vijimi i punimeve në “Zeqir Imeri” i ka detyruar verilindorët që të zgjedhin stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës për të pritur ndeshjen me krutanët, kjo edhe për faktin se terreni i mirë i atij impianti mund të nxjerrë më në pah aftësitë teknike të futbollistëve.

Kukësi vjen pas tre fitoreve radhazi dhe e fundit ishte me rezultatin e pastër 0-4 në Korçë, në ndeshjen debutuese të Mirel Josës në pankinë, me teknikun kryeqytetas që bëri disa ndryshime edhe në rreshtim, për t’i dhënë një tjetër fytyrë skuadrës në fushë.

Aktualisht Kukësi ka grumbulluar 26 pikë dhe me një fitore sot, do të shkonte 8 pikë larg kreut, çka do t’i hapte oreksin për të menduar sërish për titullin kampion, megjithatë më parë duhet të mendojë për sfidën e sotme ndan krutanëve, që kanë një grintë për t’u admiruar dhe mund t’u hapin jo pak punë.

Nga ana tjetër Kastrioti ka grumbulluar 21 pikë dhe pozicionohet në një zonë të qetë të renditjes, shumë larg zonës së ftohtë, megjithatë për mbijetesën çd pikë është e vlefshme, ndaj një barazim në një transfertë të vështirë si kjo, do të merrte vlerat e fitores.

Sfida Kukësi-Kastrioti do të startojë në orën 13:45 në SuperSport 3, ku nuk do të mungojë as emisioni i përhershëm dedikuar Superiores, “Gol pas Goli”, që do të sjellë analiza, komente dhe intervista me protagonistët./SS/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA