Ka zgjatur më pak se 48 orë kryesimi i Interit në renditjen e kampionatit italian, pasi Milani është treguar i pamëshirshëm ndaj Crotones, të cilën e mposhti me rezultatin e thellë 4-0 dhe mori sërish vendin e parë, tashmë në kuotën e 49 pikëve.
Kuqezinjtë dominuan totalisht sfidën ndaj skuadrës së vendit të fundit të kampionatit dhe arritën të zhbllokojnë sfidën në minutën e 31-të me anë të suedezit Zlatan Ibrahimoviç, që pas një kombinimi të bukur me Leaon, mposhti Cordaz dhe shënoi golin e tij të 500-të në karrierën me klube.
Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, me Milanin që dominoi në të gjithë drejtimit dhe arriti të shënojë edhe tre herë të tjera, duke shfrytëzuar një rënie nga ana e kalabrezëve, teksa fillimisht Ibra dyfishoi shifrat, ndërsa më pas ishte Rebiç që shënoi dy herë brenda një minute.
Më pas kuqezinjtë administruan forcat dhe qarkulluan topin deri në fund, duke menaxhuar një fitore të arritur pa shumë sforcim, e cila i rikthen në vendin e parë të renditjes me 49 pikë, dy më tepër se Interi, kur jemi dy javë para derbit.
Në sfidën tjetër të kampionatit italian, Udinese mposhti Veronën me rezultatin 2-0 dhe mori një 3-pikësh me mjaft shumë vlera. Sfida në “Dacia Arena” ishte mjaft e luftuar nga të dy ekipet, teksa gjithçka u vendos 10 minuta para fundit, kur një top të nisur për pasim nga Deulofeu, portieri Silvestri e devijoi në mënyrë të pafat në rrjetën e portës së tij.
Verona humbi përqendrimin nga goli i pësuar dhe pas disa gabimesh radhazi, në mbrojtje, Magnani dorëzoi topin te kundërshtarët dhe spanjolli Deulofeu arriti të shënojë edhe golin e dytë për bardhezinjtë vendas, duke vulosur suksesin .
Top Channel