Të enjten autoritetet turke kryen me dhjetra arrestime të reja në disa qytete anembanë vendit, pavarësisht kritikave ndërkombëtare përfshirë Shtetet e Bashkuara, mbi shtypjen që Presidenti Rexhep Tajip Erdogan po u bën tubimeve të studenteve të universiteteve.
Sipas policisë, rreth 600 vetë janë arrestuar që nga 4 janari ndërsa protestat u përhapën në kryeqytetin Ankara si dhe Stamboll. Presidenti Erdogan i ka cilësuar studentët që kundërshtojnë emërimin nga ana e tij të një rektori të ri në universitetin “Bogazici” në Stamboll si terroristë. “Bogazici” është një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë të vendit.
Prej më shumë se një muaji, studentët, anëtarët e fakulteteve dhe ish-studentë të diplomuar në universitetin “Bogazici” kanë protestuar ndaj emërimit nga ana presidentit Erdogan të politikanit dhe akademikut turk Melih Bulu, duke kërkuar zhvillimin e një procesi për të zgjedhur rektorin nga fakultetet e vetë universitetit.
Zoti Bulu mban titullin e doktorit të shkencave mbi programin e menaxhimit të biznesit të universitetit “Bogazici”, por ai kurrë nuk ka qenë akademik me kohë të plotë në universitet. Kritikët e akuzuan atë për plagjiaturë në disertacionin e tij për marrjen e titullit doktor shkencash dhe botuan artikuj kritik ndaj tij duke i kërkuar të dorëhiqet. Por zoti Bulu i ka hedhur poshtë akuzat.
Përfshirja e tij në politikë ka nxitur gjithashtu polemika mbi emërimin e tij. Ai dikur kandidoi për një vend në parlament në emër të Partisë në pushtet për Drejtësi e Zhvillim, të zotit Erdogan. Të mërkurën ai u tha gazetarëve se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga posti i tij në universitet. Emërimi i tij është parë si një sulm ndaj lirisë akademike dhe ka shkaktuar protesta.
Arrestimet
Para arrestimeve të së enjtes, policia turke kishte arrestuar këtë javë më shumë se 250 protestues në Stamboll dhe 69 në Ankara, disa prej të cilëve u lanë të lirë më vonë. Të paktën 51 protestues në Stamboll dolën para gjykatës të mërkurën dhe të enjten u vendos për lirimin me kusht të tyre. Të martën akademikët u mblodhën në kampusin e universitetit “Bogazici”, duke kërkuar dorëheqjen e zotit Bulu dhe lirimin e studentëve të ndaluar.
Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se 79 prej të arrestuarve ishin të lidhur me grupe terroriste si Partia Revolucionare e Popullit/ Fronti Revolucionar, një forcë e majtë ekstreme. Zoti Erdogan i bëri jehonë deklaratës së zotit Soylu gjatë një fjalimi drejtuar partisë së tij të mërkurën. Ai tha se protestuesve u mungojnë “vlerat kombëtare e shpirtërore” të Turqisë dhe se ata janë anëtarë të grupeve terroriste.
“Ky vend nuk do të drejtohet nga terroristët”, tha ai. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta parandaluar këtë. Ne nuk kemi qenë me terroristët dhe nuk do të qëndrojmë me ta”. Grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut thonë se qeveria turke ka zgjeruar përkufizimin e ligjeve anti-terrorizëm për të shtypur mospajtimet. “Autoritetet turke kanë një histori të gjatë të ndalimit të shprehjes së lirë përmes hetimeve abuzive, ndalimeve arbitrare dhe ndjekjeve penale të pabazuara kjo për shkak të ligjeve të paqartë mbi anti-terrorizmin”, i tha Zëri të Amerikës Deniz Yuksel, specialiste në organizatën “Amnesty International” dega turke e saj.
Të drejtat e komunitetit LGBT
Mosmarrëveshjet mbi universitetin “Bogazici” u përshkallëzuan edhe më tej pas vendosjes në një ekspozitë të kampusit javën e kaluar si pjesë e protestave, të një posteri ku vendi i shenjtë islamik Kaaba shfaqej mbuluar me flamuj të komunitetit LGBT. Më 29 janar, në një postim në Twitter në lidhje me arrestimin e katër studentëve mbi posterin, zoti Soylu i quante ata “LGBT jonormalë”. Më vonë, Twitter-i vendosi një paralajmërim në postimin e zotit Soylu, duke e njoftuar se kishte shkelur rregullat e kompanisë lidhur me aktet që nxisin urrejtje.
Dy nga studentët e ndaluar u arrestuan nën akuzat për nxitjes të urrejtjes dhe ofendim të vlerave fetare. Gjatë fundjavës, policia bastisi klubin studentor LGBTI+ të universitetit “Bogazici” dhe njoftoi se kishte nisur një hetim lidhur me dyshimet për propagandë terroriste pasi siç tha në dhomën e klubit ishte gjetur një botim i paligjshëm i Kongra-Gel e flamuj me ngjyrat e ylberit.
Kongra-Gel është një organizatë ombrellë e Partisë Punëtorët e Kurdistanit (PKK). PKK është shpallur një organizatë terroriste nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. Pas bastisjes zoti Bulu njoftoi mbylljen e klubit. Disa analistë thonë se komuniteti LGBT i universitetit “Bogazici” ishte objektivi më i fundit i përpjekjeve të gjera të qeverisë për të etiketuar disidentët si terroristë.
“Ajo që të bën më shumë përshtypje në çështjen “Bogazici” është se personat që i takojnë komunitetit LGBTI tashmë portretizohen si kriminelë e terroristë thjesht për shkak të orientimit të tyre seksual, çka reflekton se sa është larguar Turqia nga të drejtat e liritë themelore, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i një procesi të drejtë ligjor”, i tha Zërit të Amerikës Aykan Erdemir, drejtor i programit të Turqisë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive dhe një ish-anëtar i parlamentit turk.
Të hënën gjatë një telekonference zoti Erdogan vlerësoi rininë e partisë së tij duke u thënë: “ju nuk jeni të rinjtë LGBT, nuk jeni rinia që kryeni akte vandalizmi. Përkundrazi ju jeni ata që riparoni zemrat e thyera”. Dy ditë më vonë ai tha se “nuk ekziston diçka e tillë” sikurse LGBT, duke shtuar se “ky vend është shpirtëror e mbron vlerat kombëtare dhe se do të vazhdojë të ecë në të ardhmen si i tillë”.
Zonja Yuksel i “Amnesty International” tha se deklaratat e fundit të autoriteteve turke kundër komunitetit LGBT ishin “jo vetëm një reflektim i homofobisë së qeverisë, por edhe një strategji politike e llogaritur”. “Sulmet e autoriteteve ndaj LGBT janë kufiri i fundit i një lufte kulturore të nisur nga Presidenti Erdogan në një përpjekje për të mbledhur bazën e tij konservatore përpara zgjedhjeve të planifikuara për vitin 2023, megjithëse ka zëra që sugjerojnë që ato mund të mbahen më herët”, tha ajo.
Të mërkurën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara mbi demonstratat lidhur me universitetin “Bogazici” dhe se dënojnë ashpër retorikën anti-LGBT që i rrethon ato. Po të mërkurën Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dënoi ato që i quajti: “komente homofobike dhe transfobike të zyrtarëve turqi” dhe bëri thirrje për një “lirim të shpejtë të studentëve dhe protestuesve të arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata paqësore”.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme turke nuk iu përgjigjën kërkesave të Zërit të Amerikës për komente. Por në një deklaratë të veçantë të lëshuar të enjten, Ministria e Jashtme Turke tha se “është dalë në përfundimin se grupe të caktuara që nuk janë nga Universiteti dhe që janë të lidhur me organizata terroriste u përpoqën të infiltronin dhe të provokonin ngjarjet”. “Në këtë kuadër kundër këtyre akteve të paligjshme që tejkalojnë fushën e së drejtës për të protestuar, janë marrë masat e nevojshme dhe në përputhje me ligjin e situatën e krijuar”.
Rëndësia e “Bogazicit”
Universiteti “Bogazici” u krijua nga misionarët amerikanë në 1863 nën emërtimin “Robert College” dhe u shndërrua në një universitet publik në 1971. Si një nga universitetet më prestigjioze të Turqisë, konkurenca për t’u pranuan në të është tejet e fortë. “Universiteti “Bogazici” ka qenë standardi i artë i meritokracisë dhe mundësisë për t’u ngjitur lart në hierarkinë sociale të Turqisë”, tha Erdemir i FDD. “Roli pionier i universitetit në futjen e bursave dhe vlerave perëndimore e ka bërë atë një shënjestër të fraksioneve të ndryshme islamike dhe ultranacionaliste të Turqisë, të cilët e akuzojnë institucionin se u shërben interesave të huaja”, tha ai.
Top Channel