Netanyahu: Vendimi i GJNP-së, antisemitizëm i pastër

06/02/2021 14:05

Me tone zemërimi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të shtunën kundërshtoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), i cili hap rrugën për një hetim të krimeve të luftës në territoret palestineze të okupuara nga Izraeli.

Netanyahu tha se vendimi është një “antisemitizëm i pastër”.

“Si kryeministër i Izraelit, unë mund t’ju siguroj këtë: me të gjitha forcat tona ne do të luftojmë këtë shtrembërim të drejtësisë”, tha Netanyahu në një deklaratë.

Të premten, GJNP vendosi që ka juridiksion mbi situatën në territoret e okupuara palestineze, duke krijuar rrethanat që kjo gjykatë të hapë një hetim të krimeve të luftës, transmeton AFP.

Prokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda i kishte kërkuar gjykatës mendimin e saj ligjor nëse veprimtaria e saj ka juridiksion edhe në zonat e okupuara nga Izraeli. Ajo në muajin dhjetor të vitit 2019 kishte thënë se dëshiron të fillojë një hetim të plotë.

GJNP tha se gjyqtarët e saj kishin “vendosur, me shumicë, që juridiksioni territorial i Gjykatës shtrihet në territoret e okupuara nga Izraeli që nga 1967, përkatësisht Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin lindor”.

Autoriteti palestinez është një palë në gjykatë, pasi është bërë pjesë e saj më 2015, por Izraeli nuk është anëtar.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 dhe më vonë aneksoi Jeruzalemin lindor.

Kryeministri i autoritetit palestinez, Mohammed Shtayyehm tha se vendimi i GJNP-së është “një fitore për drejtësinë dhe njerëzimin”.

Por, Netanyahu tha se “Gjykata, e themeluar për të parandaluar mizoritë si Holokausti kundër popullit Hebre, tani po shënjestron shtetin e popullit hebre”.

Ai tha se GJNP duhet të hetojë “diktaturat brutale si Irani dhe Siria që kryejnë mizori të tmerrshme pothuajse çdo ditë”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se ekzistojnë “shqetësime serioze” në lidhje me vendimin e GJNP, duke shtuar se Izraeli nuk duhet të jetë subjekt gjykatës pasi nuk është vend anëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA